Kosova ka adaptuar përvoja të mira të barazisë gjinore sa i përket anës ligjore, por zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të mbetet ende një sfidë për shoqërinë e këtushme, me gjithë përparimet e dukshme që janë bërë në këtë drejtim.
Kështu u tha në hapje të aktiviteteve 16 ditore kundër dhunës ndaj grave, me moton “Zbatimi i normave – ndryshimi i mendësisë” në Gjilan.
Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan, ka thënë se dhunë në familje, për fat të keq, ka edhe sot në shoqërinë tonë, por e mira është se po rritet vetëdijesimi për raportimin e rasteve.
Ajo ka thënë se fushatat vetëdijesuse janë të domosdoshme për të ndryshuar gjendjen në kuptimin pozitiv.
“Dhuna në familje shkakton dëm të përgjithshëm në zhvillimin e një familje të shëndoshë dhe një shoqërie të përparuar, prandaj duhet rritur aktivitetet parandaluese të këtij fenomeni të shëmtuar”, ka thënë ajo.
Në këtë drejtim, efekt pozitiv ka luajtur Mekanizmi kundër dhunës në familje, ka thënë Linditë Salihu, zyrtare për barazi gjinore.
Salihu ka prezantuar edhe aktivitetet që do të zhvillohen për nder të “16 ditëve të aktivizimit për eliminimin e dhunës ndaj grave”, që kanë filluar me shpalosjen e pllakatit para Teatrit të Qytetit, “Zbatimi i normave – ndryshimi i mendësisë”, që ka për qëllim të përçojë mesazhin se dhuna nuk duhet të përdoret asnjëherë ndaj grave.
Ndryshe, Komiteti për Barazi Gjinore në këtë komunë i ka inkurajuar vazhdimisht gratë që t`i paraqesin rastet e dhunës në familje.