Javën e kaluar, Barcelona finalizoi largimin në formë huazimi të Marc-André ter Stegen, i cili iu bashkua Gironës për pjesën e mbetur të sezonit.
33-vjeçari vendosi të largohej pasi iu bë e ditur se nuk do të llogaritej më në “Spotify Camp Nou”, me Hansi Flick që po vazhdon me Joan Garcia dhe Wojciech Szczesny si portierët e ekipit të parë.
Largimi i ter Stegen e la Barcelonën pa kapiten klubi, një rol që ndërkombëtari gjerman e kishte mbajtur që nga gushti i vitit 2024, pasi kishte zëvendësuar Sergi Roberton.
Ai ishte zhveshur nga shiriti i kapitenit verën e kaluar kur refuzoi të lejonte katalanasit të përdornin pagën e tij për regjistrimin e Joan Garcias, por u rikthye në këtë rol vetëm një ditë më pas.
Ai do ta rimarrë shiritin e kapitenit pas kthimit nga huazimi te Girona, por për momentin Barcelona ka një kapiten të ri: Ronald Araujo.
Sipas “Cadena SER”, mbrojtësi uruguaian është emëruar zyrtarisht në këtë rol, ndërsa Frenkie de Jong, Pedri dhe Raphinha plotësojnë grupin e kapitenëve.
Në rast se asnjëri prej këtyre katër lojtarëve nuk ndodhet në fushë, shiriti i kapitenit do t’i kalonte njërit mes Eric Garcias ose Ferran Torresit, sipas raportimit.
Flick ka folur së fundmi për cilësitë drejtuese të të parit, ndaj nuk do të ishte surprizë nëse ai ka pasur ndikim në këtë vendim.
Barcelona do të ketë nevojë për shumë lidership në gjysmën e dytë të sezonit, teksa synon një tjetër fushatë pozitive. Aktualisht ata janë një pikë përpara Real Madridit në La Liga, ndërsa kanë gjithashtu ambicie të mbrojnë titullin e Kupës së Mbretit që e fituan majin e kaluar. Përveç kësaj, shpresojnë t’i japin fund pritjes 11-vjeçare për të fituar Ligën e Kampionëve.