Vlerësohet se afro 750 mijë njerëz kanë marrë pjesë në marshin protestues në pjesën qendrore të Barcelonës, duke kërkuar lirimin e liderëve separatistë të Katalonjës, të cilët janë të arrestuar nga autoritetet e Spanjës.
Në marshin e mbrëmshëm për pavarësi nëpër rrugët kryesore të Barcelonës, pjesëmarrësit me flamuj të Katalonjës kanë brohoritur “liri për të burgosurit politikë”.
Gjykata e Lartë e Spanjës pat marrë vendim që tetë ish-zyrtarë të qeverisë rajonale të Katalonjës dhe liderët e Asamblesë Kombëtare të Katalonjës, të mbahen në arrest, të akuzuar për kryengritje, rebelim dhe keqpërdorim të fondeve publike. Kryetari i Parlamentit të Katalonjës është liruar për tu mbrojtur në liri, pas pagesës së dorëzanisë në shumë prej 175 mijë dollarësh.
Rajoni i pasur i Katalonjës, që e ka gjuhën dhe kulturën e vet, ka shpallur pavarësi nga Spanja më 27 tetor, pas mbajtjes së referendumit. Por, autoritetet qendrore në Madrid këtë referendum e patën shpallur ilegal.
Qeveria e Spanjës e ka shkarkuar presidentin e Katalonjës, Carles Puigdemont, kabinetin e tij dhe parlamentin.
Për zotin Puigdemont është paraqitur një fletarrtest lidhur me akuza për rebelim dhe kryengritje. Ai është larguar në Bruksel së bashku me katër ish-zyrtarë të tjerë qeveritarë.
Qeveria qendrore në Spanjë e ka pezulluar autonominë e Katalonjës dhe ka shpallur zgjedhje të reja për 21 dhjetor.