Dialogu i Kosovës me Serbinë duhet të rinisë, dhe arritja e një marrëveshjeje ju takon palëve, por ndryshimi i kufijve është një rezultat që Kroacia nuk e mbështet. Kështu ka thënë ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, në një intervistë për “Kohën Ditore”.
“Çështja kryesore është zgjidhja e problemeve, dhe kjo duhet të bëhet ndërmjet dy palëve dhe çfarëdo ndihme në këtë drejtim është pozitive. Kjo është gjëja kryesore, të uleni dhe të bisedoni. Askush nuk mund ta bëjë këtë në vend të palëve”, ka thënë Barishiq.
Për herë të parë prej anëtarësimit në Bashkimin Evropian, prej 1 janarit Kroacia ka marrë Presidencën e Këshillit të BE-së. Teksa ka folur për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Barishiq ka thënë se Kosova duhet të dëshmojë përkushtim më të madh në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë qëllim, sipas saj, është e domosdoshme që sa më shpejt të krijohet Qeveria, për t’i adresuar sfidat që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim- Asocimit (MSA).
KD: Katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kosova ende nuk e ka formuar Qeverinë e re, pasi nuk ka një marrëveshje për koalicion mes partive që janë duke negociuar atë. Si i komentoni këto zhvillime.
Ambasadorja Danijela Barishiq: Siç e thatë ju, janë katër muaj prej zgjedhjeve të cilat ishin mirë të organizuara, pa ndonjë problem të madh, me disa përjashtime në veriun e Kosovës, ku kishte frikësime. Votuesit ishin shumë të qartë kur kërkuan ndryshim, por më pas pati vonesa të gjata me numërime të votave, ndërkaq tani po presim për formimin e Qeverisë, sepse çështja kryesore është se, qytetarët duan mirëqenie dhe prosperitet në një shtet normal.
Për këtë arsye duhet të ketë qeveri dhe ata t’u përgjigjen kërkesave të votuesve. Kroacia si anëtare e Bashkimit Evropian është e interesuar të formohet sa më shpejt Qeveria dhe të fillojmë punën në të gjitha reformat e domosdoshme për të mirën e qytetarëve.
KD: Cilat mund të jenë pasojat në raport me BE-në, nëse vonohet krijimi i Qeverisë?
Barishiq: Kosova ka marrë detyrime dhe obligohet me Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit, e cila përmban shumë reforma që duhen përmbushur. Kjo marrëveshje është arritur me konsensus dhe duhet përmbushur obligimet. Fundja, qytetarët janë duke pritur që puna të nisë dhe në këtë situatë nuk mund të kryhen detyrat e shtëpisë. Pastaj, nëse je investitor i jashtëm, si mund ta fillosh punën nëse nuk e di se kush është ai me të cilin duhet nënshkruar marrëveshjet.
Aktualisht nuk është miratuar buxheti dhe kjo paraqet problem për disa institucione. Me një fjalë, gjithçka është pezull dhe më duhet të them se edhe njerëzit janë të zhgënjyer pasi duan ta dinë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre.