Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) të mërkurën bëri thirrje të hapur duke rekomanduar qytetarët që të bartin maskat në ambientet e mbyllura dhe të vaksinohen.
Ky institucion, këtë thirrje e bëri në bazë të rasteve të shumta të Covid-19 të regjistruara në botë, meqenëse pandemia nuk ka përfunduar ende.
Prandaj, të gjithë personat “me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”.
”IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”.
Megjithatë, në raportin e fundit 24-orësh të IKSHPK-së, janë konfirmuar 12 raste të reja me Covid-19 nga 127 testime në Republikën e Kosovës, ndërsa 2 të tjerë janë shëruar. Sipas të njëjtit raport, janë të regjistruar 79 raste aktive, kurse vetëm një person është hospitalizuar.
”MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që rritja e rasteve me COVID-19 kërkon edhe masa parandaluese andaj duhet të të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse duke zbatuar vendimet e Qeverisë, duke bartur maska në të gjitha ambientet e mbyllura, distancë, higjienë, dezinfektues për duar në të gjitha institucionet publike e private dhe të vaksinohen kundër COVID-19”, thuhet në deklaratën e fundit publike të IKSHPK-së.
Lidhur me rekomandimet e institucioneve shëndetësore pajtohet edhe specialisti i sëmundjeve infektive, Prof.Dr. Sali Ahmeti.
Në një prononcim për Klankosova.tv, ai tha se bartja e maskës është masë e pranueshme, por jo për shkak të Covid-19, por më tepër për shkak të gripit sezonal, sipas të cilit është shumë i ashpër.
”Bartja e maskës në ambientet e mbyllura është masë e duhur dhe e pranuar në këtë kohë, për shkak se gripi sezonal sivjet është shumë më i ashpër se në dy vjetët e fundit, i cili po shkakton infeksione të sëmundjeve respiratore dhe po prekë personat më të moshuar, të ndjeshëm dhe me sëmundje kronike”, thotë Ahmeti.
Ai thotë se situata me Covid-19 në Kosovë është e qetë me raste të ralla të regjistruara, dhe ”sipas parametrave të BE-së, ai nuk e ka forcën si të varianteve të mëparshme”.
Në bazë të llogaritjes së të dhënave nga raportet e publikuara të IKSHPK-së nga fillimi i vitit deri sot janë regjistruar 83 raste pozitive me Covid-19 nga gjithsej 570 testime.
Në bazë të statistikave të MSH-së, sot janë administruar 18 doza të vaksinës. Deri sot janë administruar në total 1,837,198 doza të vaksinës kundër Covid-19 në Republikën e Kosovës.
Kujtojmë se vetëm para gati një muaj më parë, saktësisht më 22 dhjetor, IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e OBSH-së, kanë filluar aktivitetin “Karvani i Vaksinimit”, si fushatë për promovimin dhe vaksinimin kundër gripit sezonal dhe Covid-19 nëpër komunat e Kosovës.
Ky aktivitet i nisur në Fushë Kosovë, do të përfundojë më 26 janar në Prishtinë