Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha çeli sot fushatën për zgjedhjet e 11 majit. Basha tha se ajo që e mban bashkë forcën politike që drejton, është dashuria për Shqipërinë dhe bindja dhe besimi se vendi ynë meriton më shumë.
“Ajo që na mban bashkë në këtë udhëtim, në këtë rrugëtim është shumë më e madhe se gjithsecili prej nesh. Është edhe më e madhe se shuma e të gjithë ne bashkë. Është më e madhe se Koalicioni Euroatlantik, është fuqia e pamposhtur e dashurisë për Shqipërinë dhe bindja dhe besimi se Shqipëria meriton më shumë, se Shqipëria meriton të ndahet me 12 vite dështime, korrupsion, e mashtrime të qeverisë”, tha Basha.
Basha tha se Shqipëria meriton të mbyll derën e tranzicionit dhe të hapë derën e progresit dhe integrimit.
“Shqipëria meriton ndarjen një herë e përgjithmonë nga kultura e pandëshkueshmërisë, të të fortëve, duke nisur me politikanët e korruptuar e të pandëshkuar të 35 viteve tranzicion. Se Shqipëria pas më shumë se një gjenerate, një brezi të tërë tranzicion, meriton ta mbyllë derën e tranzicionit dhe të hapë derën e progresit dhe integrimit”, u shpreh Basha.
Basha tha se Edi Rama do të mbetet si e keqja më e madhe e vendit që nga themelimi i shtetit shqiptar. Sipas tij, me Ramën dhe katër vite do kenë më shumë korrupsion, më shumë dështime, më shumë stanjacion për në BE, ose vota për Koalicionin Euroatlantik me program ekonomik, me ekip dinjitoz dhe me mbështetje totale për SPAK.
“Ky është Edi Rama, që socialistët e ndershëm që besuan se duke votuar për të do të sillnin ndryshimin, e patë në sytë e tyre se çfarë solli. Disa të korruptuar, kriminelë, trafikantë, përdhunues, mashtrues, hajdutë dhe tani kërkon dhe katër vite të tjera. Katër vite të tjera vetëm me Edin, sepse gjysmën e shokëve i ka tel 7×7-313. Këtu ka arritur rrugëtimi politik i një njeriu që premtoi shpresë, ndryshim, progres, por solli korrupsion, vjedhje në skandale korruptive si asnjëherë që nga Shqipëria e pavarur 1912-ën.
Solli rekordin e gjysmës së kabinetit në burg dhe gjysmës tjetër nën hetim për korrupsion.E pra, është e qartë se katër vite të tjera me Edi Ramën do të thotë më shumë korrupsion, më shumë dështime, më shumë stanjacion në rrugën që ne të gjithë duam, drejt Bashkimit Europian. Më 11 maj çdo shqiptar që do ndryshim e ka alternativën, Koalicionin Euroatlantik, numrin 4”, tha ai.