Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të dërgojë komente në propozimin e publikuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës, ndaras nga komentet që do t’i dërgojë Qeveria e vendit, ka njoftuar deputeti i kësaj partie, Dimal Basha.
Në KTV, Basha ka thënë se ai nuk është i kënaqur me propozimet e ZRRE-së.
“Ne si deputetë duhet ta marrim rolin tonë. Ne si grup parlamentar do të dërgojmë komentet tona. Kemi kërkuar informata shtesë. Jemi duke i pritur dhe kemi bë ekip ekspertësh për të bërë analizë të thellë e për t’iu dërguar komentet. As unë s’jam i kënaqur nga ajo që ka dalë prej ZRRE-së. Është krijuar bindje se kur del propozimi nga ZRRE-ja, ka dalë nga Qeveria. Por tash është një pavarësi në ZRRE”, ka thënë ai. “Qeveria, edhe grupi parlamentar do t’i dërgojnë sepse as unë s’kam qenë i kënaqur”.
Basha ka thënë se një nga propozimet mund të jetë që bllok-tarifa të ngrihet më lartë se 600 kilovatë, dhe se kjo me qëllimin që t’u ndihmohet më shumë qytetarëve. Ai ka thënë se duhet të ketë ngritje të çmimit edhe për bizneset.
Basha ka komentuar edhe protestat qytetare kundër shtrenjtimit të rrymës. Ai ka thënë se ato janë të shëndetshme dhe janë opozitë që ndihmojnë pushtetin dhe vetë ZRRE-në.
Edhe tre ditë afat kanë mbetur që palët e interesit të dërgojnë komentet e tyre në Zyrën e Rregullatorit për Energji lidhur me bllok-tarifat. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se ende nuk i kanë dërguar komentet, meqë janë në proces të hartimit të tyre. Përveç Qeverisë, deri tani, sipas një njoftimi të ZRRE-së, asnjë subjekt politik nuk ka dërguar komente, mes tyre as partitë opozitare, të cilat e kanë kundërshtuar fuqishëm shtrenjtimin e rrymës.