Kuvendi nuk e zgjedh nënkryetarin serb, Basha e shpall të mbyllur seancën konstituive

Prishtinë | 30 Gus 2025 | 20:19 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ka shpallur të mbyllur seancën konstituive, pavarësisht se Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë një nënkryetar nga pakica serbe të shtunën, raporton Ekonomia Online.

Asnjëri prej deputetëve që u votua nuk ka marrë shumicën e mjaftueshme dhe rrjedhimisht Kuvendi nuk ka nënkryetarin nga ky komunitet.

Basha ka thënë se janë ezauruar të gjitha opsionet për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit nga komuniteti serb. Ai tha se kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur dhe se për hapat e mëtejmë do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit.

“Janë ezauruar të gjitha opsionet për të zgjedhur nënkryetarin e pestë nga pakica serbe. Kjo seancë konsiderohet e përmbyllur. Se si të veprohet tutje si Kuvend do t’i konsultoj anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, mbledhje kjo që do të mbahet të hënën në ora 13:00,” tha Basha.

Pavarësisht disa tentativave të përsëritura në seancat e kaluara, Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë nënkryetarin e mbetur, çka po e zvarrit përmbylljen e procesit të konstituimit të plotë të tij. Vendimi për hapat e ardhshëm do të merret pas konsultimeve të brendshme institucionale që do të zhvillohen javën që vjen.

Të ngjashme