Basha: Ky 28 nëntor na gjen me plagë që kullojnë gjak, por edhe më të bashkuar se kurrë

Prishtinë | 28 Nën 2019 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha, ka thënë se situata e krijuar në Shqipëri vazhdon të jetë shumë kritike.

“Shumë njerëz janë larguar nga banesat e tyre sepse banesat janë dëmtuar. Shumë të tjerë janë larguar edhe thjesht nga frika. Durrësi është de facto një gjendje sikur të jetë gjendje lufte”.

“Duhet të shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ata që në solidaritet me më të goditurit, në radhë të parë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre, me ata që kanë akoma njerëz nën rrënoja ose në spital, kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka”.

“Duke filluar me personelin e ndihmës nga Kosova që na është gjendur pranë në këtë orë të zezë për Shqipërinë dhe qytetarët e Shqipërisë. Dua të shpreh mirënjohjen time nga zemra në radhë të parë për punën shumë profesionale që kanë kryer. Kanë më shumë se 48 orë që punojnë nonstop, heronj të vërtetë që kanë ndihmuar të nxjerrin dhjetëra persona nga gërmadhat, kanë shpëtuar jetë njerëzish, por edhe i kanë dhënë kurajo dhe forcë personelit tonë me punën dhe me ndihmën e tyre të jashtëzakonshme, natyrisht edhe me pajisjet moderne që kanë sjellë dhe që për fat të keq neve nga mungojnë”.

Por, a po menaxhohet kjo situatë mirë nga shteti shqiptar?

“Kjo është një temë për të cilën nuk do të flas sot. Ne, si opozitë dhe PD, po bëjmë gjithçka që të nxisim një frymë solidariteti, mbështetje dhe përkrahje maksimale ndaj njerëzve në nevojë”.

Basha në një intervistë për Klan Kosovën ka folur edhe për ndihmat e mëdha që po shkojnë nga Kosova drejt Shqipërisë dhe që nuk po ndalen, ndonëse kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se nuk ka më nevojë që të dërgohen ndihma drejt Shqipërisë sepse s’mund të sistemohen.

“Duhet të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kujtdo që mund të ndihmojë, sado pak që mund të ndihmojë. Akti i ndihmës na mbushë me forcë dhe besim për të nesërmen”.

“Pa dyshim që njerëzit do të kenë nevojë për ndihma. Durrësi është një qytet i madh me shumë njerëz në nevojë. Kjo, për fat të keq, është një situatë që sapo ka filluar”.

“Operacionet e kërkim-shpëtimit po shkojnë drejt përfundimit, por menjëherë pas kësaj do të kemi nevojë që të merremi me furnizimin e qindra-mijëra familjeve dhe sistemimin e tyre, në ndërkohë që po vjen edhe dimri”.

Por, si e gjen Shqipërinë ky 28 nëntor?

“Ky është një 28 nëntor që na gjen në zi, me plagë të hapura që kullojnë gjak, por na gjen edhe më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin si shqiptar, si komb. T’i falemi Zotit për këtë forcë që po na jep në këto ditë të vështira dhe që vuajtjet e njerëzve të përfundojnë sa më shpejt”.


Të ngjashme