Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha mori pjesë në Darkën e Lamës, e ku thotë se ajo është vazhdim i traditës që e nisi Presidenti Ibrahim Rugova, e u kultivua nga Presidentja Vjosa Osmani.
Basha tha se Darka e Lamës është një shenjë e unitetit, mirënjohjes dhe bashkimit kombëtar.
“Mbrëmë shënuam Darkën e Lamës, vazhdimin e një tradite të nisur nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova dhe e kultivuar në vijim nga Presidentja, znj. Vjosa Osmani-Sadriu. Të mbledhur rreth sofrës me prodhime vendore e ushqime tradicionale, u bashkuam në frymën e mirënjohjes dhe respektit për tokën, për punën e palodhur të fermerëve tanë dhe për begatinë që ata i sjellin vendit. Darka e Lamës është më shumë se një festë e bereqetit, është shenjë e unitetit, mirënjohjes dhe bashkimit tonë kombëtar, që na kujton se përmes punës dhe bashkëpunimit ndërtojmë mirëqenie për çdo qytetar”, ka shkruar Basha.
Ai më tej shkruan edhe se “Bashkë me dashamirë, përfaqësues të institucioneve dhe miq ndërkombëtarë, festuam bereqetin, mirënjohjen dhe përkushtimin për të ardhmen tonë të përbashkët”.