Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një vizitë në zonën e Shijakut pas raportimeve nga qytetarët për dëme të shumta të shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i së martës.
Lideri i opozitës bën me dije se takoi shumë banorë të zonës të cilët e informuan se në Shijak janë me qindra banesa të pabanueshme dhe se vëmendja e qeverisë për ta ka qenë e pamjaftueshme
“Sapo pashë nga afër situatën në Shijak, ku qindra banesa janë të pabanueshme sidomos në zonën e “Luginës”. Shumë qytetarë flenë nëpër makina, dhe një pjesë tek të afërmit. Banorët kërkojnë vëmendje më të madhe. Ata më thanë se përveç ditës së parë, nuk ka patur asnjë kontakt më nga autoritetet”, shkruan Basha në Facebook.
Kryedemokrati kërkoi nga qeveria që t’iu vijë në ndihmë dhe banorëve të zonave të tjera ku njerëzit janë në vështirësi pas tërmetit.
“Sot është nata e katërt që nuk futen dot në banesa. Kanë nevojë për ndihma materiale, ushqime, dyshekë dhe batanije. Banorët ankohen se ndihma e ofruar deri më tani është e pamjaftueshme. Përveç zonave të goditura rëndë si Durrësi dhe Thumana, duhet menjëherë tu vihet në ndihmë edhe zonave të tjera ku njerëzit janë në vështirësi të mëdha dhe ndihen të braktisur”, deklaroi Basha.