Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, priti sot ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Reiner Rudolph, në një takim që shërbeu gjithashtu si mirëseardhje për vizitën e tij të parë.
Kryetari Basha dhe ambasadori Rudolph diskutuan për situatën aktuale politike në vend dhe për rëndësinë e avancimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Në takim kryeparlamentari Basha potencoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, duke vlerësuar se aplikimi për statusin e vendit kandidat duhet tanimë të miratohet, pasi Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e caktuara nga vet ky institucion.
“Masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe që duhet të hiqen menjëherë, gjithmonë duke llogaritur në miqtë tanë gjermanë që kanë qenë dhe janë mbështetës të rrugëtimit tonë drejt BE-së”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Duke folur për procesin zgjedhor në vend, kryetari Basha tha Kosova është shembull në rajon për demokraci dhe për tranzicion paqësor të pushtetit, gjë që u dëshmua edhe me zgjedhjet e fundit lokale.
Kryetari i Kuvendit dhe ambasadori gjerman theksuan rëndësinë që të gjitha komunitetet të ndihen pjesë e Republikës së Kosovës dhe të jenë të integruara plotësisht në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe politike.
Duke folur për rajonin, kryetari Basha tha se normalizimi dhe demokratizimi i Serbisë është në dobi të stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit, pasi qëndrimet shpërfillëse të saj ndaj realitetit janë shkaku kryesor i problemeve aktuale në Kosovë, por edhe në rajon.
Në takim kryeparlamentari Basha shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e shtetit gjerman, i cili, siç tha ai, ka qenë dhe vazhdon të jetë partner i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.