Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama se taksat e vendosura nga qeveria e tij kanë goditur rëndë shtresën e mesme.
Në një postim në Facebook, kreu i selisë blu shkruan se taksa progresive e qeverisë Rama është kritikuar edhe nga institucionet financiare botërore. Qytetarët paguajnë më shumë taksa, thotë Basha, të cilat keqmenaxhohen nga qeveria.
“Në këto 7 vite, qeveria Rama e ka taksuar punën dhe dijen më shumë se çdo qeveri tjetër më parë. Barra më e rëndë e këtyre taksave ka rënë mbi shtresën e mesme. Sot të gjithë e shohim se taksa progresive e Ramës ka dështuar dhe ka prodhuar vetëm kaos, pandershmëri dhe padrejtësi. Ajo është kritikuar fort edhe nga organizatat ndërkombëtare si FMN. Çdo ditë që kalon shqiptarët paguajnë më shumë taksa, ndërsa Rama i përdor ato për të bërë më shumë PPP me klientët e tij. Si pasojë e këtij keqmenaxhimi dhe kësaj arrogance, Shqipëria zhytet në varfëri, njerëzit humbin vendet e punës dhe kriza ekonomike thellohet. Rama e ka futur dorën thellë në xhepin e çdo qytetari. Ai nuk mendon për njerëzit, por vetëm për një grusht klientësh dhe oligarkësh dhe e ka vënë shtetin dhe çdo politikë fiskale në shërbim të tyre duke i lënë qytetarët në mëshirën e fatit”.
Lulzim Basha thotë se politika fiskale e Partisë Demokratike është taksa e sheshtë 9%, e cila sipas tij, do t’u mundësojë qytetarëve që të kenë më shumë para dhe do të rimëkëmbë ekonominë shqiptare.
“Vendit i duhet një ndryshim i madh dhe rrënjësor! Politika jonë fiskale është pjesë e Planit Ekonomik për t’i kthyer frymëmarrjen vendit dhe ekonomisë së njerëzve: më shumë të ardhura në xhepat e tyre dhe më pak taksa. Ne do t’i eliminojmë nivelet e shumta të taksave mbi punën, do t’i heqim pengesat që vetëm frenojnë zhvillimin dhe do të thjeshtojme të gjithë sistemin. Ne besojmë se më shumë para në duart e qytetarëve do të nxisin investimin në arsimim dhe kualifikim dhe do t’i japin frymë rritjes ekonomike. Politika jonë fiskale ka në bazë taksën e sheshtë 9% për qytetarët dhe të punësuarit, taksa më e thjeshtë dhe më e ulët në të gjitha vendet e rajonit. Mirëqenia e shtresës së mesme, e atyre që punojnë dhe prodhojnë, është jetike për rimëkëmbjen e gjithë ekonomisë shqiptare. Vetëm një qeveri serioze që kujdeset për njerëzit do ta vendosë shtetin dhe politikbërjen në funksion të rritjes së të ardhurave të gjithësecilit dhe jo të një grushti njerëzish! Shqipëria e ka potencialin të ofrojë mirëqenie dhe siguri për të gjithë qytetarët e saj”. /tvklan.al