Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se “qeveritë e kaluara ia kanë lënë çështjen e targave në derë”.
Ai ka thënë se qeveritë e kaluara në të kaluarën nuk kanë bërë përpjekje që t’i implementojnë marrëveshjet si kjo e targave.
“A keni parë ndonjëherë opozitën sa ka qenë në pushtet deri në vitin 2019 duke u marrë me këto probleme me Serbinë? A keni parë tendenca për ta implementuar një marrëveshje që ka nënshkruar vetë? Asnjëherë nuk ka ndodhur. Ne nuk do merreshim me këtë çështje të targave, por na kanë lënë në derë. Tash ne duam t’i implementojmë se u ka dalë afati, prandaj duhet të dëshmojmë se ka rend dhe ligj”, ka deklaruar Basha në emisionin “Infonata” në Tëvë1.
Më 1 nëntor ka nisur zbatimi gradual i vendimit për targat.
Fillimisht do të jetë faza e qortimit deri më 21 nëntor.
Më pas do të vazhdohet me gjoba, e pastaj me targa të përkohshme.
Sipas Qeverisë prej 21 prillit do të hyjë në fuqi vendimi i plotë, ku veturat që nuk i posedojnë targat RKS do të konfiskohen.