Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha teksa uroi “Ditën e Forcës” tha se ushtria e Kosovës është trashëgimi e drejtpërdrejt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke shtuar edhe investimet që Qeveria ka bërë në pajisje e armatim, raporton Ekonomia Online.
“Një punë e jashtëzakonshme që ka bërë ushtria jonë që është një vazhdimësi e një historie të lavdishme e popullit tonë, e trashëgimi e drejtpërdrejt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi jashtëzakonisht krenar që FSK mbetet institucioni më i besueshëm në vend dhe kjo për shkak të një pune të shkëlqyeshme dhe përkushtimit të tyre për sigurinë e vendit tonë dhe po ashtu një përkushtim i ndërsjelltë i shtetit të Kosovës që ka bërë në rekrutimin mbi 2 mijë ushtarëve, por edhe investime mbi 400 milionë euro vetëm në pajisje. Uroj dhe shpresoj që kjo punë e mirë të vazhdojë për një ushtri paqedashëse, po gjithashtu gjithëve atyre që është një amanet i vazhdueshëm i atyre që ranë për vendin tonë”, tha Basha teksa vizituan kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë në “Ditën e Forcës” e që ishte bashkë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin e ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

KURTI NË “DITËN E FORCËS”: KEMI NJË USHTRI MIRË TË PAJISUR, BREZAT E RINJ DO TË JETOJNË NË PAQE
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka teksa ka uruar “Ditën e Forcës” nga kazerma “Adem Jashari” duke thënë se është dita më e gëzuar për popullin e Kosovës ka përmendur buxhetin për FSK-në dhe armatimin me të cilën po furnizohet ushtria e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij Kurti tha se brezat e rinj janë gjithnjë e më të sigurtë falë ushtrisë së Kosovës, pa çka theksoi sakrificën e dëshmorëve, duke nisur nga kryekomandanti Adem Jashari.
“Është ditë e lumtur e gëzuar për të gjithë ne për shkak se me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq të mirë e gjithnjë e më shumë, brezat e rinj do të jenë të sigurt të jetojnë në paqe, të zhvillohen dhe të lulëzojnë. Në njërën anë e kemi sakrificën e dëshmorëve të kombit, mbi të gjitha kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen Jashari, pastaj veteranët dhe invalidët e UÇK-së, e në anën tjetër i kemi gjithë këta fëmijë që kanë ardhur ta shohin ushtrinë e tyre që njëherësh ua ngroh zemrat dhe i bën të ndihen mirë për të ardhmen e tyre dhe për mbarë qytetarët dhe familjet në Kosovë” tha Kurti.
Ai tha se më herët FSK ishte shumë pak e pajisur me armatim, ndërsa tani janë bërë investime mbi 430 milionë euro.
“Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në këto katër vitet e fundit. Më përpara ushtria jonë ka pasur vetëm automatiku të llojit …dhe revolve, që do të thotë ka qenë më pak e pajisur se Policia e Kosovës. Ndërkaq tani është e pajisur me teknologji moderne dhe sa vjen e shtohet, meqenëse tash kemi dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë dhe gjithashtu të syve në qiell për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me drona, e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit dhe prodhimit të dronëve “Made in Kosova””, tha Kurti.
Ai ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë partnerët të cilët janë në krah të Kosovës dhe po e mbështesin.
“Në veçanti duhet theksuar edhe sistemin antitank “Javelin” nga SHBA dhe jemi në proces të marrjes së helikopterëve Black Haëk, dhe ky është momenti që duhet t’i falënderojmë aleatët tanë, NATO-n, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që na qëndrojnë pranë edhe në pajisje, armatim e municion por edhe me trajnime. Janë katërfishuar trajnimet jashtë vendit, është trefishuar buxheti për mbrojtje dhe siguri dhe ky është një obligim që ia kemi mbrojtjes së atdheut tonë”, përfundoi Kurti.

OSMANI: USHTRIA JONË ËSHTË PASARDHËSE E DENJË DHE KRENARE E UÇK-SË
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga kazerma “Adem Jashari” ka uruar “Ditën e Forcës” duke thënë se është ditë krenarie për të gjithë shqiptarët dhe se ushtria është pasardhëse e denjë dhe krenare e UÇK-së duke theksuar se bashkë do të ecët përpara për ta bërë ushtrinë e Kosovës edhe më të fortë, raporton Ekonomia Online.
“Gëzuar ‘Dita e Forcës’, dita e ushtrisë sonë. Sot është ditë krenarie për të gjithë popullin e Kosovës, është ditë krenarie sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e djemve dhe vajzave që vunë themelet e ushtrisë sonë dhe këta djem e vajza që i shihni sot na bëjnë krenarë jo vetëm brenda vendit, por edhe kudo që ata shërbejnë, në akademi, nëpër vendet e ndryshme të botës ku studiojnë në shtete aleate, por po ashtu edhe në operacione për paqe e stabilitet në vende të ndryshme të botës ku ata shërbejnë krah për krah me aleatët”, tha Osmani.
Më tej ajo tha se ushtria e Kosovës çdo ditë po forcohet dhe është krah për krah shteteve aleate të saj në mbarë botën.
“Ushtria jonë çdo ditë po forcohet e po bëhet më operacionale, më ndërvepruese, më profesionale dhe natyrisht në radhët e ushtrisë sonë po shtohen djemtë dhe vajzat që duan t’i shërbejnë atdheut. Jemi jashtëzakonisht krenarë me punën e tyre, ata janë garanca më e fuqishme bashkë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë së Kosovës, për sovranitetin tonë, për integritetin, mbrojtjen e shtetësisë dhe çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, deklaroi Osmani.
Më tej ajo tha se do të punohet për ta bërë ushtrinë më të fortë në mënyrë që të mbrohet shteti i cili u bë me shumë sakrificë.
“Së bashku do të ecim përpara për ta bërë ushtrinë tonë edhe më të fortë çdo ditë në mbrojtje të shtetit tonë që është bërë me shumë sakrificë”, përfundoi ajo.
