Izraeli ka mirëpritur për herë të parë në histori Emiratet e Bashkuara Arabe në territoret e tij për t’u bërë pjesë e një takimi ku do të nënshkruhen disa marrëveshje konkrete mes dy vendeve. Një nga marrëveshjet bazë që do të përfshijë ky bashkëpunim është lëvizja e lirë e qytetarëve mes Izraelit dhe Shteteve Arabe.
“Stafi im më kishte shkruar disa rreshta të cilat fillonin duke thënë ‘sot jemi dëshmitarë të historisë’ dhe unë thashë absolutisht jo! Sot ne jemi duke e bërë historinë. Ne po e bëjmë historinë në atë mënyrë që do qëndrojë për breza me radhë. Kjo është vizita e parë zyrtare e Emirateve të Bashkuara Arabe në Izrael. Është hera e parë që nga nënshkrimi i marrëveshjes për paqe në Shtëpinë e Bardhë, që qeveria e Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe nënshkruajnë një marrëveshje konkrete bashkëpunimi”, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Marrëveshjet e tjera të cilat dy vendet nënshkruan, ishin edhe çështje si mbrojtja e investimeve dhe zhvillime shkencore e teknologjike.
“Unë jam i kënaqur të shoh që ne kemi arritur një progres të rëndësishëm mes qeverive tona. Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojnë të jenë udhëheqës rajonalë për sa i përket reformave ekonomike, hapjes së tregtisë së lirë ndërkombëtare dhe stabilitetit politik”, tha ministri i punëve të jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Obaid Humaid Al Tayer.
Të pranishëm në këtë takim ishin jo vetëm kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe delegatët e Emirateve të Bashkuara Arabe, por edhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë katalizatorët e këtij bashkëpunimi.