Bashkëpunimi Kosovë-SHBA , AFA kërkon rifillimin e dialogut strategjik

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Delegacioni i organizatës “Albanians for America” (AFA), i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Gjatë takimit, palët riafirmuan partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Diskutimet u fokusuan në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë dhe avancimin e sektorit të energjisë, përfshirë projektet e gazit natyror të lëngshëm (LNG), si dhe krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve strategjike.

Përfaqësuesit e AFA-së theksuan se forcimi i institucioneve dhe qeverisja e qëndrueshme janë kyçe për rritjen e besimit të investitorëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë kuadër, delegacioni bëri thirrje për rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një mekanizëm për koordinim më të thellë dhe afatgjatë në fushat e sigurisë, ekonomisë, energjisë dhe zhvillimit institucional.

Gjithashtu, u theksua roli i rëndësishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe në krijimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillim.

Delegacioni i AFA-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës dhe riafirmoi përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

Të ngjashme