Republika e Kosovës e ka pothuajse të pamundur që të qojë përpara shumë procese pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), raporton Ekonomia Online.
Këtë fakt, sipas profesorëve universitarë, tashmë e ka të qartë edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti, që u kritikua për qëndrim e qasje jo të kënaqshme ndaj ShBA-së.
Madje sipas tyre, Kurti është “zbutur” dhe është më diplomatik se në të kaluarën, duke shtuar se e ka kuptuar se nuk mund të bëhet asgjë pa aleatin kryesor, ShBA-në.
Ata njëzëri thonë se Shtet e Bashkuara të Amerikës mund ta ndihmojnë Kosovën në disa sektorë, me theks të veçantë në atë të sigurisë.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se me vizita e kryeministrit Kurti në ShBA dëshmon se nuk ka zgjidhje tjetër përpos bashkëpunimit intensiv.
“Kurti është një politikan që vetë e thotë që është politikan i majtë dhe në atë aspekt ai ka një lloj skepticizmi ndaj demokracive liberale, por edhe ndaj ShBA-ve, por si kryeministër ai duhet të jetë pragmatikë dhe të bashkëpunojë me sponsorin kryesorë të Pavarësisë së Kosovës. Besojë që vizita e tij e tashme po tregon një ndryshim në qëndrimin e tij sepse më herët ka pasur nganjëherë elemente jo vetëm indiference, por edhe arrogance në raport me ShBA-në, por kjo vizitë besojë që e ka bindur edhe atë se nuk ka nga të ia mbajë përveç bashkëpunimit intensiv, konstruktiv dhe lojal me ShBA-të sepse në fund të ditës siguria e Kosovës dhe Pavarësia e Kosovës varet nga ShBA dhe aleatët e saj”.
Krasniqi konsideron se përkrahja amerikane gjithmonë ka nxjerr Kosovën nga krizat të ndryshme.
“ShBA janë aleati ynë kryesorë të cilët kanë shtyrë së pari NATO-në që të ndërhynte për çlirimin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtyrë përpara shtetet e tjera që t’a njohin Pavarësinë e Kosovës edhe krizat e tjera që kanë shoqëruar Kosovën gjithmonë ka qenë përkrahja amerikane ajo që na ka nxjerr nga krizat”.
Edhe profesori i Integrimit Evropian Dritëro Arifi, për Ekonomia Online tha se qëndrimi i kryeministrit Kurti karshi ShBA-së është zbutur dhe se ai po tregohet më i kujdesshëm.
“Është e vërtetë zoti Kurti po mendoj që ka ndryshuar qëndrim. Ka një qëndrim shumë më të butë dhe shumë më diplomatik sidomos Qeveria Kurti 2 karshi partnerit tonë më strategjik siç janë ShBA-të. Po vërehet që edhe fjalori i tij është shumë i zbutur dhe shumë më i kujdesshëm dhe në këtë aspekt mendoj që edhe vizita e tij në SHBA besoj që do të ketë një ri këndellje edhe më të mirë. Pra, ndoshta edhe do të ketë një mirëkuptim edhe zoti Kurti për super fuqinë botërore demokratike që është shumë më e rëndësishme dhe besoj që do të ketë më shumë ndërlidhje të bashkëpunimit në të ardhmen e afërt besoj në mes Kosovës dhe ShBA-ve”.
Arifi thekson se Qeveria e Kosovës e ka kuptuar se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të bëhet asgjë.
“Po besoj që ka fillesa të mira pozitive që edhe Qeveria e Kosovës më në fund e ka kuptuar që pa ShBA-në nuk mund të lëviz thuajse asnjë gjë në kontinentin e Evropës dhe kështu që po besoj është në vetëdijesim e sipër Qeveria e Kosovës që, pa aleatin tonë strategjik ShBA nuk mund të bëhet asgjë. Normalisht po e trajtojnë në këtë mënyrë”.
Sipas tij, vendi mund të përfitonte nga ShBA-ja në aspektin ushtarak, sektorin e energjisë si dhe në atë të bujqësisë.
“Po tash nëse e ndërlidhim edhe vizitën e ShBA-ve edhe marrëveshjen me MCC-në po besoj që në sektorin e energjisë, në sektorin e IT-së, por edhe në bujqësi për shkak se shteti i Ajovës njihet edhe për këtë fushë. Por ashtu edhe në aspektin ushtarak për shkak se garda e Ajovës është njëra nga ato fushat specifike ushtarake të cilat mund ta ndihmojnë ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Pra, në këta sektor besoj që Kosova mund të përfitoj shumë nga përvojat dhe nga ndihmat që mund të na vijnë nga ShBA-ja në të ardhmen e afërt”.
Kurse sa i përket rolit në dialog, profesori Krasniqi thekson se ShBA-ja ka rol të tërthortë, por që përpiqen ta shtyjnë përpara procesin.
Sipas Krasniqit, Bashkimi Evropian ka toleruar Serbinë dhe se dialogu është në krizë e ka degraduar, raporton EO.
“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog është më shumë i tërthortë, por besojë që është evident meqë asambleja e përgjithshme e OKB-së mandatin për udhëheqjen e dialogut ia ka deleguar BE-së, BE e udhëheq atë proces. ShBA-të përpiqen ta shtynë përpara, por e vërteta është që procesi i Brukselit është në krizë dhe ka degraduar deri tek diskutimet pothuajse qesharake për tabelat e veturave gjë që është problem i policisë rrugore e jo i delegacioneve shtetërore. Por kjo vjen edhe si pasojë e faktit që BE në mënyrë kronike dhe konstante ka politikë të padrejtë ndaj Kosovës sepse meqë 5 shtete nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, BE sillet me qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës dhe kjo e bënë palë të pabarabartë në raport me Serbinë në dialog”.
Përderisa Arifi thotë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të përfundoj me njohje reciproke.
“Këtu e ka kuptuar që pa ShBA-në dialogu nuk mund të përfundoj edhe nuk mund të përfundoj mirë. Kështu që vetëm me ndihmën e ShBA-ve apo me prezencën e tyre varësisht çfarë do variante do të jenë ata prezent në dialog në mënyrë të heshtur, të pa heshtur çfarë do forme. Besoj që fuqia apo prezenca e tyre do të jetë kruciale edhe për përfundimin e dialogut, por edhe atë njohjen reciproke të cilën ShBA-të po insistojnë që ta kenë në fund të dialogut”.