Në Ministrinë e Kulturës janë ndarë çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2015. Juria e përbërë nga Severina Pasho, Vjosa Osja, Virjon Graci, Laura Smaqi dhe Beti Njuma vlerësuan Bashkim Shehun si autori i vitit për librin “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve-një roman labyrinth”.
Shehu fitoi me motivacionin “Për gjetjen e veçantë artisike dhe përthyerjen në labirintet e errta historike në një labirint romanor me një dimension mitik dhe universal”. Në mungesë të tij, çmimin e tërhoqi botuesja Irena Toçi.
“Mendoj që ai do të mund ta meritonte këtë çmim edhe shumë më parë me libra të tjerë të rëndësishëm siç janë “Mozart me vonesë” apo “Loja, shembja e Qiellit”. Por qëlloi që e mori me “Misterin e dosjeve”. Ju falenderoj! Është një nga kulminancionet e punës së tij dhe mendoj që edhe konkurrentët e tij, këtë herë do të zgjidhnin që çmimin t’ja jepnin Bashkimit”, deklaroi botuesja Irena Toçi.
Ndërsa përkthyesja më e mirë për vitin 2015 u vlerësua Edit Dibra për shqipërimin e veprës së Marsel Prust, “Robinja” me motivacionin “Për mjeshtërinë në përkthim, duke ruajtur autenticitetin e frazës prusiane me sintaksën e ndërlikuar dhe larminë e regjistrave të gjuhës”.
“E pranoj që e kam ëndërruar këtë çmim qëkur vendosa të përkthej Marcel Prustin. Në atë kohë kisha shumë frikë nëse do të mund të isha në lartësinë e duhur për të përkthyer këtë autor. Ky çmim sot më konfirmoi që përkthimi ishte në lartësinë e duhur”, deklaroi përkthyesja Edit Dibra.