Institucionet evropiane kanë bërë të ditur sot për një marrëveshje politike për një buxhet prej 14,16 miliardë euro, që synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Turqinë, gjatë periudhës 2021-2027.
“Kjo marrëveshje e shumëpritur për ndihmën tonë ambicioze financiare është një sinjal pozitiv, i mirëpritur dhe i fortë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, tha eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Politikën e Zgjerimit, Oliver Varhelyi, raporton ATSh.
“Ajo do të financojë planin ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor, një mjet thelbësor për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të këtij rajoni me përparësi”, shtoi ai.
“Përmes investimeve në sektorë kryesorë, përfshirë lidhjen, infrastrukturën, mjedisin dhe klimën, si edhe energjinë dhe digjitalin, ajo do të rritë konvergjencën me BE-në dhe do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët”, shpjegoi eurokomisioneri.
Sipas KE, marrëveshja politike mbi buxhetin e instrumentit të ri të para-pranimit duhet ende të shoqërohet me bazë ligjore dhe të miratohet zyrtarisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli.
Përfituesit e ndihmës janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.