Së pari mbuloi fytyrën me fanellë e më pas e mbante me duar. Zhgënjimi ishte i madh tek Ajet Basholli pas gjuajtjes së dytë të aeroplanit prej letre, të cilin e kishte rregulluar shumë më herët.
Basholli ishte i dëshpëruar, pasi kuptoi se në gjuajtjen e dytë kishte shkelur vijën e kuqe dhe kjo automatikisht nënkuptoi se rezultati nuk do t’i llogaritej. U desh të kënaqej me distancën që aeroplani i tij përshkoi në gjuajtjen e parë të finales botërore “Red Bull Paper Wings” që në vikendin e shkuar (17-18) u mbajt në Salzburg të Austrisë, shkruan sot Koha Ditore.
Kështu, Basholli përfundoi i pesti në finalen botërore të aeroplanëve prej letre mes shumë garuesve nga 58 shtete. Aeroplani i tij u ndal në 39.53 metra në kategorinë “fluturim në distancë”.
Për Bashollin ishte hera e tretë që po e prezantonte Kosovën në këtë ngjarje, të cilën e organizon çdo tre vjet kompania e njohur e pijeve energjike “Red Bull”. Njëherësh, ishte rezultati më i mirë jo vetëm për Bashollin, por edhe Kosovën që në këtë finale botërore po paraqitej për herë të katërt.
Por meraku i tij ishte gjuajtja e dytë, që nuk u llogarit. “Është dashur ta fitoj këtë finale”, tha Basholli përderisa qëndronte ulur dhe tundte kokën nga zhgënjimi. Finalja botërore e “Red Bull Paper Wings” ka filluar të mbahet prej vitit 2006 dhe është gara me pjesëmarrjen më masive që organizohet nën ombrellën e Red Bullit.