Krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), kryetari Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku e kanë pasur një javë të ngjeshur sa i përket takimeve me zyrtarë të lartë të sportit, ku janë diskutuar tema nga më të ndryshmet e që lidhen me sportin përballë pandemisë, më saktësisht basketbollin përballë pandemisë.
Së fundi Kryetari Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme Dushku janë pritur në një takim pune nga Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, si dhe nga u.d. Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Ibër Alaj.
Tri, kanë qenë temat kryesore që janë ngritur si çështje më urgjente nga numri një i FBK-së, Fetahu e ato janë: ndihma nga pakoja emergjente e Qeverisë për klubet tona, për basketbollistët/et, fillimi i garave të basketbollit dhe themelimi i Ligës Unike të Basketbollit.
Arben Fetahu, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës:
“Takimi me Ministren Dumoshi ka qenë më se i mirëseardhur, sepse kemi pasur rastin t’i diskutojmë më në detaje problemet me të cilat po ballafaqohemi në këtë kohë pandemie ne si komunitet i basketbollit dhe për gjetjen e mënyrës më të duhur për përkrahje të klubeve dhe basketbollistëve/eve tona në këto kohë të vështira nga pakoja emergjente e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ne e theksuam faktin se është e rëndësisë së veçantë për ne si Federatë që komuniteti ynë ta ndjejë përkrahjen nga Qeveria dhe nga vetë Federata, sepse ne gjithnjë e theksojmë faktin se sportistët dhe sporti janë ambasadori më i mirë i një shteti, andaj në këto kohë të vështira ne duhet të qëndrojmë përkrahë tyre dhe të dëshmojmë se ata janë gjithnjë të rëndësishëm për ne dhe jo vetëm atëherë kur arrijnë rezultate kulmore.
Ministrja Dumoshi e kuptoi mjaft mirë situatën e FBK-së karshi klubeve dhe basketbollistëve/eve dhe premtoi se në një kohë shumë të shkurtër do të formohet një grup punues për të çuar procesin përpara.
Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me MKRS-në si institucion, pastaj edhe me vetë Ministren Dumoshi dhe u.d. Sekretarin e Përgjithshëm Alaj dhe i jemi mirënjohës pafund për mbështjen e parezervë të MKRS-së dhe DSK-së ndaj projekteve të Federatës duke përfshirë ato të basketbollit dhe basketbollit 3×3.
Krahas ndihmës nga pakoja emergjente ne biseduam me Ministren Dumoshi edhe për mundësinë e fillimit të garave të FBK-së me kalendarin e planifikuar, pra nga java e dytë e shtatorit kur edhe është në program të organizohet Superkupa e Kosovës, por se për këtë duhet pritur deri të hënën për të shikuar mundësinë se a mund të fillojmë me kohë apo duhet ta shtyjmë fillimin e garave. Po ashtu, ministrja tha se në koordinim me autoritetet përgjegjëse shtetërore, do të angazhohet që sa më shpejt që është e mundur të lejohet nisja e garave për edicionin e ri në basketboll.
Gjithsesi Bordi i FBK-së të hënën më së largu do të marrë vendim për shtyrjen apo jo të fillimit të garave të FBK-së”.
Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:
“Themelimi i Ligës Unike të Basketbollit ishte një nga tri temat kyçe në takim me Ministren Dumoshi, ku ne e njoftuam për përgatitjen e akteve normative të kësaj lige në koordinim me Federatën Shqiptare të Basketbollit, si dhe për ecurinë e përgatitjeve të mëtutjeshme të kësaj lige. Po ashtu e diskutuam me Ministren Dumoshi pjesëmarrjen e saj në ceremominë e nënshkrimit të marrëveshjes me Federatën Shqiptare të Basketbollit, gjë që pritet të ndodhë në fillim të javës së dytë të shtatorit në Tiranë, ku Ministrja Dumoshi e pranoi me kënaqësi ftesën për të qenë e pranishme në këtë ceremoni së bashku me homologen e saj nga Shqipëria.
Ne morëm përkrahje të madhe për idenë e krijimit të kësaj lige nga Ministrja Dumoshi, e cila na tha se është e gatshme që të mbështesë këtë ligë në bazë të kapaciteteve të mundshme të saj. Tani na mbetet vetëm të nënshkruajmë marrëveshjen dhe të fillojmë me vënien në funksion të zyrës së saj dhe të burimeve të saj njerëzore që do të jenë udhëheqëse të kësaj lige”.