Basketbollistët e Kosovës vazhdojnë stërvitjet në Prizren

Prishtinë | 01 Gus 2023 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Pas fitores ndaj Zvicrës, basketbollistët e Kosovës sonte (ora 18:00) vazhdojnë stërvitjet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Përgatitjet në Prizren do të vazhdojnë deri më 5 gusht, kur do të përballen me Danimarkën.

Kjo është sfida e fundit në Rrethin e Tretë Parakualifikues, ku do të mësohet se kush do të depërtojë më tutje.

Ndeshja me Danimarkën cilësohet si finale, ndërsa FBK fton gjithë adhuruesit e basketbollit të përkrahin lojtarët e Kosovës, pasi është një nga takimet më të rëndësishme në vitet e fundit. Përballja zhvillohet nga ora 20:45 më 5 gusht.

Momentalisht, Danimarka ka dy fitore, Kosova dy fitore e një humbje dhe Zvicra tri humbje. Danimarka dhe Zvicra do të ndeshen më 2 gusht. Nëse danezët fitojnë këtë sfidë, ku janë favoritë, atëherë Dardanët duhet të mposhtin Danimarkën me tetë pikë dallim.

Kosova mundi dy herë Zvicrën, 76:49 dhe 72:76, ndërsa pësoi nga Danimarka 82:75. 

Të ngjashme