Të motivuara dhe të gatshme, basketbollistet e Mabetex Prishtinës do të nisin garat në EuroCup javën e ardhshme. Prej muajit shtator kur ka nisur fazën përgatitore për edicionin 2019/20, kampionia e Kosovës në Ligën e Femrave, ka stërvitur dy herë në ditë dhe intensivisht. Javën tjetër, për Prishtinën nis një rrugëtim i ri, ai në garën që është niveli i dytë në basketbollin e femrave në Evropë.
Për një ekip të femrave basketbolli, kjo është hera e parë që paraqitet në një nivel të tillë garash. Herën e fundit, ish-Universiteti – skuadër paraardhëse e Prishtinës – luajti në ligën rajonale, Trocal ku përfundoi i katërti në vitin 2004, shkruan sot Koha Ditore.
Prishtina të hënën, do të marrë rrugën për Rusi, pasi ndeshjen e parë do ta luajë kundër ekipit MBA Moska që zhvillohet të mërkurën (16 tetor, 18:00). Prishtina është pjesë e Grupit B dhe në fazën grupore do të luajë edhe me ekipin tjetër nga Rusia, Spartak Vidnoje dhe Beshiktashin e Turqisë.
Prishtina edicionin e shkuar fitoi të gjithë trofetë në basketbollin kosovar, kurse për garat evropiane ka angazhuar katër lojtare të huaja: Enxhi Xhanaj, Danisha Shaw, Nyilah Jamison-Myers dhe së fundi ka shtuar reprezentuesen e Kamerunit, Marie Mfoula.