Basketbollisti serb, i përfaqësueses së fqinjit tonë, Serbisë, që altualisht luan për Fenerbahshçen e Turqisë, Nikolla Kaliniq, i pyetur nga e përditshmja e Beogradit, “Blic”, se çfarë ishte pikëpamja e tij rreth çështjes së Kosovës, është përgjigjur se “është momenti i fundit që të zgjidhet problemi i Kosovës dhe ne të vazhdojmë më tutje”.
Ai i ka thënë kësaj gazete se “që kur di për veten, ndërsa jam i lindur më 1991, ka pasur probleme e mospajtime rreth Kosovës”.
“Ta zgjidhim më fund këtë problem, të marrim aq sa mundemi dhe të vazhdojmë tutje?, është shprehur Kaliniq, duke ua përkujtuar bashkëkombasve të vet se “Lufta e Kosovës ka ndodhur para 600 vjetësh, ndërsa për shumë dekada ajo nuk është territor yni, le të më korrigjojë historia dhe ata që dinë më shumë nëse po gaboj”, transmeton Koha.net.
“Askush nuk jeton nga e kaluara dhe sa më shpejt të pajtohemi me të tashmen dhe të vazhdojmë tutje do të jetë më mirë për ne. Nuk jemi popull qiellor, e as që kemi qenë ndonjëherë, kemi pasur momente të ndritshme në të kaluarën, por duhet të pajtohemi me faktin se tash jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës”, ka thënë Kaliniq.
Ai u ka bërë thgirrje atyre që nuk i besojnë që të udhëtojnë pak nëpër botë dhe t’iu thonë të huajve prej nga janë dhe kush janë.
“Jam i sigurt, do të përjetoni dëshpërim të pamasë. Unë e kam përjetuar”, ka thënë basketbollisti Nikolla Kaliniq.
Ai është shprehur se është i ndërgjegjshëm se tani shumë serbë do ta urrejnë, porse është koha që dikush ta thotë botërisht këtë.