Bastisja e banesës së dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu – nga Specialja refuzojnë të japin detaje

Prishtinë | 12 Sht 2023 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk kanë dashur të komentojnë bastisjet e hetuesve të tyre në Prishtinë në banesën e familjarëve të heronjve, Fahri dhe Bahri Fazliu.

“Nuk kemi asnjë koment për këtë çështje”, tha shkurtimisht zëdhënësi i Gjykatës Speciale në Hagë, Michael Doyle.

Ndërsa pas bastisjes, vëllai i dëshmorëve, Fadil Fazliu kanë thënë para gazetarëve se nuk i dinë arsyet e kësaj bastisjeje.

“Ka qenë bazë e UÇK-së, ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë kanë qenë në shtëpinë tonë, sidomos në përvjetorët e Bahrisë dhe Fahrisë. Dokumente nuk ka pas, këtu ka pas më shumë libra”, tha Fazliu.

Ai ka treguar se në një dokument që ia kanë dhënë hetuesit shkruhet që “Gjykata ka urdhër për kontroll në banesën tënde”.

Avokati Artan Qerkini ka thënë se gjatë bastisjes janë marrë disa dokumente, por nuk është sekuestruar asnjë provë.

“Rasti nuk është bërë i ditur, vetëm është thënë se për nevoja të procedurave nga Dhomat e Specializuara. Nuk kanë kërkuar asgjë specifike, kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, pra nuk ka pasur nevojë të bastiset fare. Prandaj thashë që bastisja ka qenë e kotë”, theksoi ai para mediave.

Ndryshe, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar u barazvlerësua me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Të ngjashme