Hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontroll në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Hasan Krasniqi. Kjo u bë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; Falsifikimi i dokumentit zyrtar; Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore; Konflikt i interesit dhe Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurorim publik.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova materiale ( dokumente ) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin.
Kontrolla u bë nga Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Më 18.03.2025, kur ishte arrestuar kryeshefi i Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në institucionin që ky i fundit drejtonte, hetuesit e Krimeve Ekonomike gjatë bastisjes kishin arritur që të sekuestronin dy kontrata të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara.