Donatori dhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka njoftuar se bashkë me përfaqësuesit e disa klubeve të pakënaqura të IPKO Superligës janë ftuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) për ta takuar të martën presidentin e saj, Agim Ademi, transmeton Gazeta Express.
Sipas Batatinës, Llapi, Prishtina, Trepça ’89, Ballkani, Drenica dhe Ferizaj kërkojnë përfaqësim në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së. Në të kundërtën paralajmëron bojkot të kampionatit, pjesa e dytë e të cilit fillon në fundjavën që po vjen.
“Do të kërkojmë si fillim që mbarëvajtja e kampionatit të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme pasi që dihet se mund të këtë parregullsi. Kërkesa jonë e dytë është që ne klubet e Superligës të përfaqësohemi në Komitetin Ekzekutiv pasi që në këtë mënyrë, mund t’i kontrollojmë mjetet tona financiare. Për shkak të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, do të kërkojmë që një gjë e tillë të ndodh pas ndeshjeve të Kosovës në muajin mars që janë shumë të rëndësishme dhe nuk duan që në këtë kohë të shkaktojmë trazira”, ka thënë Batatina.
Duke folur për “Zërin”, Batatina ka kërcënuar me largim nga IPKO Superliga nëse FFK-ja nuk e pranon kërkesën e grupit të pakënaqur për përfaqësim në organin udhëheqës të futbollit kosovar.
“Ne do ta bojkotojmë kampionatin nëse nuk realizohet një gjë e tillë. Prishtina, Llapi, Ballkani, Drenica dhe Ferizaj janë për ndryshime”, potencoi Tahir Batatina.
Në pyetjen e gazetës se kush e ka thirrur këtë takim, Batatina tha se takimi është thirrur nga Agim Ademi.