Gazetari Baton Haxhiu është treguar i pamëshirshëm me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, dhe zyrtarë të PDK’së. Përmes një kolumne, Haxhiu s’ka lënë gjë pa ju thënë atyre, raporton Express.
E ka nisur me kryeministrin Kurti, duke ia kujtuar deklaratën e tij se “kravata është symbol i ndarjes klasore”, për t’ia përmendur më pas rastet kur i njëjti shfaqej me kravatë edhe në temperature të larta.
“Pas kësaj jo që u gropos debati për njerëzit që mbajnë kravata në këtë vend, po Albin Kurti i mësynte edhe livadhet, fushat, arat e zabelet e Kosovës, nga Çakorri deri në fshatrat më të harruar të Kosovës, në 40 gradë celsius, veshur me farmak e kravatë në fyt. Kjo s’është punë veshjesh as shijesh personale: kjo është punë njeriu që ka ndërsyer pa asnjë fre, kundër atyre që mbajnë ora të shtrenjta, kravata me ngjyra, farmerka firmato”, ka shkruar Haxhiu.
Ka vazhduar me Ministrin e Infrastrukturës Liburn Aliun dhe Presidenten Vjosa Osmani, duke ua përmendur shtëpitë në Marigona Hill.
“Liburn Aliu e Vjosa Osmani, sipas raportimeve të medieve, tashmë kanë parapaguar shtëpitë e tyre në Marigona Hill. Sipas standardeve të tyre të deridjeshme, këto zona kanë qenë simbole të ‘gated community’, me demek hapësira rezidenciale të mbyllura nga pjesa tjetër e shoqërisë. Sa më larg Marigonës, aq më afër realitetit: kështu i mësonte të rinjtë pseudo-aktivistë në kurset e shpëlarjes, një ministër me nam që sot është në garë serioze për të thyer çdo rekord sa i përket punësimit nga motra me zero kompetencë profesionale deri te kushërinjtë e akrabatë me librezë partie.
Sot, ndërkaq, ai me të tjerë janë hyllur me turr të papërmbajtur për të kapur nën tavolinë një çmim më të përshtatshëm të një kulmi në Marigona Hill, duke u jargosur para disave që deri dje i quanin oligarkë e mafi ndërtimi [ju lutem shumë, emrat e tyre mos i kërkoni te Lumir Abdixhiku a Përparim Rama se do zemërohen]”, ka shkruar ai.
“OK – s’ka lidhje – me hajër shtëpitë që i morët me punën e mundimshme të thyerjes së parimeve, montimit e çmontimit të koreografive të mashtrimeve me histori kombëtare e shkeljes së çdo premtimi dhënë njerëzve të këtij vendi”, ka shkruar tutje Haxhiu.
Te Presidentja është ndalur edhe te raportimet për ndërhyrjen e saj në Turqi. Ka thënë se kur nëna e Ramush Haradinajt shkoi për shërim jashtë vendit, kishin reaguar nga Vetëvendosje e për Osmanin s’thanë asnjë fjalë.
“Kilogramët e tepërt e komplekset pothuajse të pashërueshme për dukjen e saj, natyrisht, janë krejtësisht punë personale e Vjosa Osmanit. Këtu ka megjithatë diçka që është punë e turpshme politike e institucionale e saj. Së pari, kur nëna e Ramush Haradinajt, bijë, motër e nën luftëtarësh e dëshmorësh, shkoi për shërim jashtë vendit, këta dhjetëftyrëshat e Vetëvendosjes, shpërthyen në rrjete sociale në britmë e piskamë duke thënë se ajo qe me fat për të ikur larg se të bijtë e saj janë pasuruar paskaj në kurriz të këtij populli. Sot, ndërkaq, kur shërbëtorja e verbër e Fatmir Sejdiut e Isa Mustafës, e cila, pasi këta “u bënë lodra të Serbisë”, sepse kundërshtarë të Albin Kurtit, vendosi të bëhet një bijë e përkushtuar e popullit, Vjosa Osmani, shkon në Turqi për qëllime estetike, ‘qile guri gojën’, as edhe një fjalë të vetme”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas tij, me këtë veprim, Osmani e ka tallur, fyer dhe ofenduar një popull në nevojë që pret në radhë të gjata e kërkon shpëtim korridoreve të QKUK’së.
“E, e dyta, edhe më me rëndësi se e para, mbetet se sipas medieve e njëjta ndërhyrje si e Presidentes mund të bëhet edhe në Kosovë. Tani, pasi u çkap shëndetësia nga duart e arta të Arben Vitisë e po zhvillohet nga mendja e hatashme e Rifat Latifit, pyetja është pse Vjosa Osmani nuk i beson shëndetësisë vendore, asaj që i dha krah një populli midis pandemisë, për një ndërhyrje jo edhe aq të ndërlikuar?
Presidentja i merr për budallenj ata që ngrenë pyetje të kësaj natyre kur lëshon lajme lajthitëse, nëpërmes mercenarëve të saj në portale, se ndërhyrja është bërë për shkaqe shëndetësore. Për më keq, Presidentja e tall, fyen dhe ofendon një popull në nevojë që pret në radhë të gjata e kërkon shpëtim korridoreve të QKUK”, thuhet në kolumnën e Haxhiut.
Osmanin e ka quajtur “notere belhollë të Albin Kurtit”, derisa ka përmendur pjesëmarrjen e saj në sfilatën e Valdrin Sahitit.
“Pse u dashka që njerëzit e zakonshëm t’i besojnë shëndetësisë vendore kur vetë Presidentja, kukullushka e Albin Kurtit, s’ia beson as kilet e tepërta një mjeku vendor? Nuk ka asnjë arsye, pavarësisht se shefi i saj, e paraqet zhvillimin e shëndetësisë si sukses te tij.
Sidoqoftë, pasi është shkëputur përfundimisht nga populli, noterja belhollë e Albin Kurtit, ka vendosur që ‘part-time’ ta ndjek edhe pasionin e saj për modelizëm. Në mbrëmjen e organizuar nga Valdrin Sahiti, me veshje të porositur enkas, plot ‘sherk’ e flokë me fenir, bërë me termin të posaçëm, ajo defiloj në tepihun e kuq, krahas Bora Zemanit e Donald Veshajt”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund, është marrë edhe me Kreun e PDK’së, Memli Krasniqin dhe nënkryetaren e kësaj partie, Vlora Çitakun, të cilët së fundi u panë në sfilatën e organizuar nga Valdrin Sahiti.
Sipas tij, ata opozitën kanë vendosur ta bëjnë në klubet e natës.
“Natyrisht, aty nuk munguan as Memli Krasniqi e Vlora Çitaku, të cilët kanë vendosur që opozitën ndaj qeverisë ta bëjnë në klubet e natës: Zone, Bon Vivant e Bruni, pa harruar ama asnjëherë se Liria ka Emër. Pa u thelluar në veshjen e zezë të Vlora Citakut e cila me siguri vjen nga mërzia e thellë, ajo bashkë me Memlin janë shndërruar në sinonime të nënshtrimit ndaj Albin Kurtit”, ka shkruar Haxhiu.