Kryeministri i Bavarisë, Markus Soeder, tha të martën se ky rajon do ta rihapë pjesërisht sektorin e turizmit gjatë këtij muaji.
Si pjesë e këtij vendimi do të rihapen dyqanet, kopshtet e birrave, restorantet dhe hotelet. Sidoqoftë, e tërë kjo do të bëhet me kufizime të caktuara.
Njoftimi për riaktivizimin e turizmit në këtë rajon vjen në kohën kur shtetet gjermane po i bëjnë gati planet për rihapjen e pjesshme të ekonomisë, e cila u fut në izolim në mars me qëllim të luftimit të përhapjes së coronavirusit.
Numri i rasteve të reja të coronavirusit në Gjermani po shkon duke rënë ditëve të fundit. Kjo situatë e ka shtuar trysninë ndaj qeverive rajonale dhe grupeve të biznesit që të largohen masat kufizuese, ndonëse kancelarja Angela Merkel është shprehur e frikësuar se një gjë e tillë do të mund të sillte një valë të dytë të infektimeve.
Grupi BDI, që e përfaqëson industrinë gjermane, paralajmëroi në gazetën “Bild” se e ardhmja e Gjermanisë si prodhuese kryesore mund të jetë në rrezik, nëse vazhdon ngrirja e aktivitetit ekonomik.
Deri më tani, në Gjermani janë shënuar 166,199 raste të infektimeve me Covid-19 dhe 6,993 viktima. Për më tepër, mbi 135 mijë të infektuar janë shëruar, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.