Bayern Muencheni është larg prej fundit të edicionit, ndonëse ka siguruar titullin e tetë rresht të Bundesligës, që është rekord. Titulli i Gjermanisë është vetëm “synim i ndërmjetëm” në rrugën për më shumë sukses, ka thënë trajneri Hansi Flick të premten.
Bavarezët e përmbyllin edicionin të shtunën me ndeshjen ndaj Wolfsburgut dhe do të festojnë titullin në stadium të zbrazët.
Për trajnerin Flick, që mori drejtimin e skuadrës në nëntor, ka më shumë gjëra për të fituar këtë edicion.
“Ka shumë më tepër për të fituar. Ne mund të shkojmë në 17 ndeshje pa humbje prej fillimit të vitit në Bundesligë. Ne do të luajmë për të fituar ndaj Wolfsburgut. Ne duhet të luftojmë dhe të fitojmë ndeshjen”, ka thënë Flick.
Bayerni është pesë gola larg për të barazuar rekordin e ligës për më së shumti gola në një edicion (101).
“Titulli në ligë është një synim i ndërmjetëm. Ne gjithnjë kemi më shumë synime”.
Bayerni takohet me Bayer Leverkusenin në finale të Kupës së Gjermanisë më 4 korrik. Po ashtu është në Ligën e Kampionëve që rifillon në gusht. Bayerni e ka fituar 3:0 ndeshjen e parë të një të tetës së finales ndaj Chelseat, kurse duhet të luajë ndeshjen e dytë.
“Ne e kemi ndeshjen ndaj Leverkusenit. Më pas ekipi shkon në pushim. Por lojtarët nuk mund të pushojnë plotësisht. Më pas kemi tri javë për t’u përgatitur për Ligën e Kampionëve. Është kohë e mjaftueshme”, ka theksuar Flick.