Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Yildiray Bayram së bashku me drejtorin e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi, morën pjesë në shënimin e 70 vjetorit të Komisionerit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë dhe në ceremoninë përmbyllëse të Klinikës Ligjore “Mbrojtja ndërkombëtare-Ligji për Refugjatë”.
Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e bashkëpunimit në mes të UNHCR-it dhe institucioneve të Kosovës si dhe rëndësia e mbështetjes gjatë procesit për mbrojtjen e refugjatëve.
“Integrimi i të huajve është njëra ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, është e rëndësishme edhe integrimi i plotë i tyre në jetën ekonomike e sociale të Kosovës, duke ia mundësuar gjithnjë azilkërkuesve dhe refugjatëve një trajtim me dinjitet dhe të drejtë”, theksoi zëvendësministri Bayram.
Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim të ngushtë midis UNHCR, Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Programit për të Drejtat Civile në Kosovë.