Dhjetëra punëtorë krahu janë parë të martën në Prishtinë në pritje të gjetjes së një pune. Largimi i masave kufizuese të lëvizjes nga ana e Qeverisë në detyrë i ka kthyer ata në vendet e “rezervuara” për ta, kryesisht skaj rrugëve. Prisnin që dikush t’i ftonte për punë, dhe shpresonin se, nëse veç janë me fat, me ato pak para të përmbushin disa nevoja ditore familjare.
Ata kanë hezituar të flasin me emër, me arsyetimin se ankesat e tyre nuk po kanë efekt dhe se institucionet nuk po u dalin në ndihmë. Gjatë bisedës me ekipin e “Kohës” kanë thënë se ka disa ditë që po dalin, por janë të rralla ofertat për punë. Kanë përmendur edhe pandeminë si shkaktar të rënies së kërkesave për shërbimet e tyre.
“Ka disa vite që jam regjistruar si i papunë, por nuk kam bërë ende zgjidhje. Po dalim këtu, por si po sheh policia po na largon. Institucionet po tallen me ne, asnjë zgjidhje nuk na kanë bërë”, tregon njëri nga ta. Thotë se ka nga ata që presin për punë dhe marrin asistencë sociale, vlera e së cilës, sipas tij, është simbolike krahasuar me nevojat.
Kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19 ka ndikuar negativisht në tregun e përgjithshëm të punës në Kosovë. Sipas raportit të Bankës Botërore, për tregjet e punës në vendet e Ballkanit Perëndimor, deri në prill 2020 kanë humbur 40 për qind të arritjeve në uljen e papunësisë.
Raporti tregon se ndikimi negativ pritet të prekë edhe Kosovën, që sipas Bankës Botërore, para krizës kishte rritjen më të madhe të punësimit
Mbi 170 mijë të papunë
Që nga mesi i marsit në Agjencinë e Punësimit të Kosovës janë regjistruar mbi 65 mijë punëkërkues të rinj. Kjo ka bërë që numri i përgjithshëm i të papunëve të regjistruar të jetë mbi 170 mijë. Rritja e këtij numri arsyetohet edhe me nevojën e përfitimit nga Pakoja Emergjente Fiskale, e cila parasheh 130 euro asistencë mujore për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.
Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për zhvillimin e masave aktive dhe analizave në tregun e punës në Agjencinë e Punësimit ka thënë për KOHËN se deri në fund të vitit të kaluar numri i të papunëve ka qenë 70 mijë persona, ndërsa ai ka vazhduar të rritet gjatë këtij viti.