BB: Korniza e asistencës në përputhje me programin e Qeverisë së re

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 16:35 | Nga

Drejtorja Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, përfundoi sot vizitën dyditore në Kosovë që u përqendrua në takime me qeverinë e sapozgjedhur të Kosovës dhe diskutimin e sfidave dhe prioriteteve të zhvillimit të Kosovës.

Gjatë vizitës së saj, Van Gelder u takua me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj; me ministrin e Financave, Bedri Hamza, dhe me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, z. Valdrin Lluka, për të vendosur dialogun rreth asistencës së Bankës Botërore përpara Takimeve Vjetore të Grupit të Bankës Botërore që do të mbahen më 13-15 tetor në Uashington DC.

Në takime u diskutuan prioritetet e Programit të Qeverisë që u miratua rishtas, objektivat e Kornizës së re të Partneritetit të Vendit të Grupit të Bankës Botërore për 2017-2021 dhe lista prioritare e huadhënies për vitet fiskale 2018 dhe 2019, me një fokus të veçantë në sektorin e energjisë.

“Korniza e asistencës për Kosovën e miratuar rishtas është në përputhje me programin e Qeverisë së re dhe ne do të vazhdojmë të mbështetim Kosovën në rrugën drejt rritjes më të qëndrueshme, të orientuar nga eksporti, ashtu që qytetarëve të saj t’i ofrohen më shumë mundësi për një jetë më të mirë”, tha drejtorja Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder.

“Diskutimet rreth programit të huadhënies do të vazhdojnë dhe shpresojmë që ai të konfirmohet me delegacionin e Kosovës në Takimet Vjetore”, shtoi Van Gelder.

Portfolioja aktive e huadhënies e Bankës Botërore në Kosovë arrin në rreth 161 milionë $ për shtatë projekte në fushën e energjisë, arsimit, kadastrës, bujqësisë, shëndetësisë, ujit dhe konkurrueshmërisë. Që nga viti 1999, Banka Botërore i ka dhënë Kosovës dhe/ose ka menaxhuar afërsisht US$440 milionë nëpërmjet më shumë se 30 projekteve. Financimi i Grupit të Bankës Botërore për Kosovën gjatë Kornizës së Partneritetit të Vendit për periudhën 2017-2021 vlerësohet të jetë midis $210 – $280 milionë. Kosova është e kualifikueshme për financim nga Shoqata e Zhvillimit Ndërkombëtar (IDA) e Grupit të Bankës Botërore, e cila ofron kredi me kushte koncesionare, me ngarkesa shumë të ulëta të interesit dhe periudha të gjata kthimi.

Van Gelder u emërua Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor më 1 korrik 2017, dhe po i prin dialogut të politikave me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në mbështetje të prioriteteve të reformës dhe përpjekjeve drejt pranimit në BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme