BB: Kosova shënoi rritje ekonomike prej 3.6 %

Prishtinë | 06 Pri 2017 | 10:15 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016 dhe mbetet vendi me rritjen më të madhe në rajon. Në vitin 2017 parashikohet 3.9% nga investimet publike dhe konsumi. Rritja ekonomike krijoi punësim dhe zvogëloi varfërinë në vitin 2016, megjithatë nevojitet përmirësim.

Këtë vlerësim e ka dhënë menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, gjatë prezantimit të raportit më të ri ekonomik për Ballkanin Perëndimor, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se shohin rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme në Kosovë prej 3.6 për qind që është pak më pak se në 2015.

“Kosova ka përparësi të theksueshme në fusha të caktuara por njëra prej tyre janë shërbimet, është me rëndësi që të krijohen kushte. Kemi konfirmuar si grup që ta ndihmojmë Kosovën në implementimin e strategjisë për energjisë. Të shohim nëse Banka Botërore do të thotë nëse mund të mbështes”, tha Mantovanelli.

“Pasqyra e rritjes ekonomike të Kosovës mbetet pozitive. Megjithatë, përkundër dëshmive të mirëseardhura për krijimin e vendeve të punës në vitin 2016, Kosova duhet ta bazojë rritjen ekonomike shumë më tepër në produktivitet të brendshëm dhe konkurrueshmëri më të madhe jashtë vendit, në mënyrë që të adresohen nivelet historikisht të larta të papunësisë, veçanërisht në mesin e të rinjve dhe grave”, tha Mantovanelli.

Raporti thekson se përkundër rikthimit gradual të kërkesës së BE-së për eksportet e Ballkanit Perëndimor, çmimet e ulëta të mallrave kanë ulur fitimet nga eksporti në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe investimet e mëdha në infrastrukturë vazhdojnë të kërkojnë importe të mëdha të mallrave kapitale, duke çuar në rritje të Deficitit Tregtar dhe Llogarive Rrjedhëse në rajon.

Agim Demukaj, ekonomist në Zyrën e Bankës Botërore në Kosovë tha se për vitin 2016 kanë projektuar që rritja është 3.6, “por ende nuk i kemi të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për tre muajt e fundit, të cilat pritet të publikohen sot gjatë ditës, por kjo rritje duhet të bie në 3.4”, tha Demukaj.

Sa i përket punësimit ai ka thënë se kanë evidencë të rritjes së vendeve të punës, “të dhënat aktuale do të dalin shpejt, por trendi është pozitiv”.

“Mënyra më e mirë për të rritur vendet e punës është thithja e investimeve që mundësojnë eksportin. Kosova e ka përqindjen më të lartë në rajon sa i përket papunësisë”, tha ai.

“Trendi pozitiv duhet të ndodhë shumë më shumë. E dimë se nga anketimet për rreth një e treta e popullsisë janë në gjendje në nevojë dhe për të ndikuar në këtë Kosova do të duhet të ketë një rritje më të madhe ekonomike”, ka thënë Demukaj.

“Me të vërtetë është konkurrenca e jashtme, e cila është problem ende për krijimin e vendeve të reja të punës. Reformat me kalimin e kohës duhet të ndikojnë në ekonomi dhe kapacitete më të mira për të qenë konkurrent”, tha ai.

Sipas tij, diaspora e Kosovës vazhdon të mbështes ekonominë e vendit përmes remitencave.

Raporti i Rregullt Ekonomik mbulon zhvillimet, gjasat dhe politikat ekonomike në Kosovë dhe në pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Hartohet dy herë në vit nga ekonomistët e Bankës Botërore që punojnë në vendet e rajonit.

Të ngjashme