Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik kanë përfunduar pilot projektin “Gratë në Punë Online” (Women in Online Work – WoW), i cili ndihmoi që të trajnohen mbi 150 gra të reja, të papuna apo të nënpunësuara, në shkathtësi të cilat janë të kërkuara nga tregu me rritje të pafund i punës së pavarur (freelancing) në internet.
Pilot projekti njëvjeçar WoW, i krijuar me financim nga Fondi i Mirëbesimit për Rritje të Gjelbër i Bankës Botërore dhe Koresë dhe i zbatuar nëpërmjet programit të asistencës teknike Rritja e gjelbër në zonat rurale të Kosovës, është realizuar në pesë komuna në Kosovë, me të diplomuara të suksesshme që tani konkurrojnë globalisht për punë në ueb-zhvillim, dizajn grafik, marketing digjital, shkrim dhe kërkim, dhe futje të të dhënave, ndër të tjera.
Dy fazat e para të pilot projektit, të kryera në Gjakovë, Lipjan dhe Prishtinë dhe zonat përreth, kanë rezultuar me 77 përfituese që kanë siguruar të paktën një kontratë të punës në internet.
Ministri i Zhvillimi Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se Sektori i TIK-ut paraqet një fushë të mundësive të vërteta që gratë në Kosovë të bëhen pjesë e fuqisë punëtore.
“Sektori i TIK-ut paraqet një fushë të mundësive të vërteta që gratë në Kosovë të bëhen pjesë e fuqisë punëtore. Ministria është e përkushtuar seriozisht për avancimin e këtij sektori dhe për ta vendosur atë në qendër të politikave ekonomike të vendit tonë. Rritja e pjesëmarrjes së grave përmes programeve të tilla si WoW, është një komponent thelbësor në këtë strategji”, tha Stavileci.
Puna në internet mund të ndihmojë gratë në Kosovë duke iu treguar atyre një mënyrë të përshtatshme për t’u lidhur me një numër të madh të mundësive të punësimit që paguhen më shumë dhe janë më të gjelbra. Në bazë të suksesit në Kosovë, Banka Botërore është duke punuar në drejtim të zgjerimit të projektit WoW në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dafina Haziri, studente 24-vjeçare e shkencave kompjuterike nga Prishtina, e cila ka marrë pjesë në pilot-projektin thotë se nuk mund ta besoj që para gjashtë muajsh ajo e dëshpëruar po kërkonte punë.
“Pjesëmarrjen në trajnimin ‘Gratë në Punë Online’ (WoW) do ta quaja një përvojë jetësore sepse ka ndryshuar jetën time në shumë mënyra. Ky trajnim më ka mundësuar të mësojë dizajnin grafik dhe të forcojë aftësi të tjera. Më e rëndësishmja, tash jam ekonomikisht i pavarur dhe kam klientë shumë të mirë, afatgjatë”, tha ajo.
Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, shprehu mirënjohjen e saj ndaj Bankës Botërore dhe Fondit Korean për dizajnimin dhe zbatimin e këtij pilot projekti.
Qeveria e Kosovës tashmë është duke planifikuar për të ndërtuar mbi këtë sukses duke përshkallëzuar programin e punës në internet për gratë nëpërmjet të projekteve të financuara nga USAID-i, tregoi ajo.
“Ne mbetemi shumë mirënjohës ndaj Bankës Botërore dhe Fondit Korean të Mirëbesimit për Rritje të Gjelbër për dizajnimin dhe zbatimin e këtij pilot projekti dhe shpresoj që do të mund të llogarisim në mbështetjen e tyre si këshilltarë të besuar në përpjekjet tona të mëtejme. Gjithashtu, unë do të doja të shpreh mirënjohje për vizionin dhe mbështetjen nga projektet e USAID-it, EMPOWER Sektori Privat dhe Avancojmë Kosovën së Bashku – Zgjidhje Vendore, që janë zotuar për ta ngritur këtë pilot projekt në lartësi të reja”, deklaroi zëvendësministrja Gashi.