Ndërsa Presidenti Donald Trump përpiqet ta ndërmjetësojë përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë, ai ka theksuar rekordin e tij në negociatat e paqes që nga fillimi i mandatit të tij të dytë.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më 18 gusht, ku iu kërkua nga liderët europianë të shtyjë për një armëpushim, ai pretendoi: “Unë i kam ndalur gjashtë luftëra… të gjitha këto marrëveshje i kam bërë pa përmendur as edhe një herë fjalën ‘armëpushim’.”
Të nesërmen, numri që përmendi ishte rritur në “shtatë luftëra”.
Administrata Trump thotë se një Çmim Nobel për Paqe është “prej kohësh i vonuar” për “krye-paqebërësin” dhe ka renditur “luftërat” që ai supozohet se i ka ndalur.
Disa zgjatën vetëm disa ditë – megjithëse ishin rezultat i tensioneve të gjata – dhe mbetet e paqartë nëse disa nga marrëveshjet e paqes do të zgjasin.
Trump gjithashtu e ka përdorur fjalën “armëpushim” disa herë kur ka folur për to në platformën e tij Truth Social.
BBC Verify ka hedhur një vështrim më të afërt mbi këto konflikte dhe sa meritë mund të marrë presidenti për përfundimin e tyre.
Pasi përmendi Izraelin dhe Iranin, Pakistanin dhe Indinë, Ruandën dhe Kongon, Tajlandën dhe Kamboxhian, Armeninë dhe Azerbajxhanin e Egjiptin dhe Etiopinë, BBC u ndal edhe te Kosova dhe Serbia.
Më 27 qershor, Trump pretendoi se e kishte parandaluar shpërthimin e armiqësive mes tyre, duke thënë: “Serbia, Kosova ishin duke u nisur kundër njëra-tjetrës, do të bëhej një luftë e madhe. Unë thashë, nëse nisesh, nuk ka tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë, mirë, ndoshta nuk do të shkojmë aty”.
Dy vendet prej kohësh janë në mosmarrëveshje – një trashëgimi e luftërave të Ballkanit të viteve 1990 – me tensione të rritura vitet e fundit.
“Serbia dhe Kosova nuk kanë qenë duke luftuar apo qëlluar kundër njëra-tjetrës, kështu që nuk është luftë për t’u përfunduar”, i tha BBC-së Prof. MacMillan.
Shtëpia e Bardhë ia ka përmendur BBC-së përpjekjet diplomatike të Trumpit në mandatin e tij të parë.
Dy vendet nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik në Zyrën Ovale me presidentin në vitin 2020, por nuk ishin në luftë në atë kohë.