BDI-ja feston 22-vjetorin e themelimit, Grubi: Kauzat e saj gjithmonë kanë qenë të drejta

Prishtinë | 05 Qer 2024 | 19:14 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Demokratik për Integrim ka festuar të mërkurën 22-vjetorin e themelimi, raporton Ekonomia Online.

Artan Grubi nga kjo parti, thotë se të arriturat e BDI-së për këto dy dekada, kanë qenë të jashtëzakonshme dhe që kanë bërë revolucionin demokratik.

“Bashkimi Demokratik për Integrim mbushi sot 22 vite veprimtari kombëtare e përparimtare politike, një rrugëtim sfidash me të arritura të jashtëzakonshme që bënë revolucionin demokratik. Mbi dy dekada punë e palodhshme nga çdo aktivist e anëtarë në çdo cep të vendit që të ruhet dinjiteti ynë kombëtar, që proceset përparimtare të vazhdojnë e rruga jonë drejt Evropës të mos ndalet”.

“Sot le të reflektojmë mbi rolin vendimtar që Bashkimi Demokratik për Intregrim ka patur me Marrëveshjen e Ohrit që solli barazinë e zyrtarizoi gjuhë e flamur kombëtar shqiptar, Marrëveshjen e Prespës që na bëri pjesë të NATO-s dhe Marrëveshjes e fqinjësisë së mirë që vendosi binarë të shëndosha drejt rrugës së Europës”, ka thënë Grubi.

Sipas tij, kjo parti gjithmonë është legjitimuar nga populli, si fituese në çdo cikël zgjedhor, pasi kauzat e BDI-së dhe Ali Ahmetit kanë qenë të drejta e të sinqerta.

“Sot në mesin e shumë aktivistëve unë ndihem krenar që jam pjesë e BDI-së, që kam ndjekur dhe vazhdoj të ndjek atë vizion të qartë përparimtar e kombëtar të liderit të shqiptarëve, rilindasit të fundit të kombit, Ali Ahmetit.  Me flakadanin që e mbajnë të pashuar arritjet e shumta kombëtare, bashkë do të vazhdojmë të shkruajmë kapitujt e arritjeve të radhës”, ka theksuar ai.

Të ngjashme