Bashkimi Evropian edhe më tej është në pritje të rezultateve të hetimeve për sulmin e vitit të kaluar në Bansjkë, në mënyrë që të merr qëndrim lidhur me këtë ngjarje.
Zëdhënësi Peter Stano rikujton se autoritetet e Kosovës janë përgjegjëse për përpilimin e raportit përfundimtar të hetimeve, raport ky të cilin e pret ta pranojë edhe Bashkimi Evropian.
“Hetimi, para së gjithash, duhet të bëhet nga autoritetet e Kosovës, sepse incidenti në Banjskë që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar, ndodhi ne territorin e Kosovës. Autoritet e Kosovës janë ato që janë përgjegjëse për hetimin dhe më pas ndarjen me neve të raportit të plotë përfundimtar të hetimit. Kjo nuk ka ndodhur ende. Pra, natyrisht nuk mund të vazhdojmë pa e pasur rezultatin e hetimeve”, deklaroi Stano.
Takimi i të së mërkurës mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë do jetë i pari pas sulmit të Banjskës.
Përderisa akoma janë në fuqi masat ndaj Kosovës, ndonëse pritet heqja graduale e tyre, Serbia nuk është ballafaquar me asnjë pasojë për shkak të këtij sulmi.
Ndërkohë BE vazhdon të insistojë tek palët që të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në kuadër të dialogut, e sidomos elementet e ujdive të viti të kaluar të arritura në Bruksel dhe Ohër.
Nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq pritet që në takimin e radhës të konfirmojnë përkushtimin ndaj marrëveshjeve dhe zotimin se do punohet drejt zbatimit të tyre.