BE dënon dhunën ndaj opozitës në Bjellorusi

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorët e delegacionit të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së i thanë ministrit të Jashtëm bjellorus se përndjekja e anëtarëve të opozitës ishte e papranueshme dhe u bënë thirrje autoriteteve të këtij vendi që të pranojnë dialogun.

Një takim i diplomatëve të BE sot në Minsk me ministrin e Jashtëm Vladimir Makei u mbajt ndërsa ministrat e jashtëm të Unionit po vendosin sanksione për zyrtarët më të lartë bjellorusë që luajtën një rol në shtypjen e protestuesve dhe mashtrimet e zgjedhjeve në Bjellorusi. ”Diplomatët evropianë theksuan se përndjekja e anëtarëve të Këshillit Koordinues është e papranueshme për arsyet e deklaruara nga autoritetet,” tha delegacioni i BE-së në Bjellorusi, transmeton TCH.

Opozita formoi Këshillin e saj koordinues për të inkurajuar transferimin e pushtetit, pasi presidenti Alexandër Lukashenko u përball me protesta të mëdha të shkaktuara nga rizgjedhja e tij e diskutueshme më 9 gusht. Dhjetëra-mijëra njerëz janë në rrugë në të gjithë vendin përkundër shtypjes brutale të policisë.Këshilli koordinues i opozitës është nën hetim për “shkelje të sigurisë kombëtare”.

Disa nga anëtarët e saj u thirrën si dëshmitarë, përfshirë fituesen e Çmimit Nobel për letërsi Svetlana Aleksijeviç dhe opozitaren e sotme Maria Kolesnikova. Pas dëshmive për keqtrajtim nga autoritetet dhe torturimin e të burgosurve, diplomatët e BE-së kërkuan qasje në burgjet ku ishin protestuesit. Lukashenko, i cili nuk heq dorë pavarësisht nga gati tri javë demonstrime, sot akuzoi fqinjët baltikë dhe polakë se po zhvillonin një “luftë hibride” diplomatike dhe mediale kundër tij.

Të ngjashme