Komisioni Evropian ka miratuar një kontratë për furnizim me vaksina me kompaninë amerikane “Novavax”, me të cilën mund të blihen deri 200 milionë doza të vaksinës për Covid-19, njoftuan autoritetet në Bruksel të mërkurën.
Sipas kontratës, shtetet e Bashkimit Evropian do të kenë mundësi që të blejnë deri 100 milionë doza të vaksinës së “Novavax”-it, me mundësi për të blerë edhe 100 milionë doza shtesë deri më 2023, posa vaksina të miratohet nga rregullatori i BE-së, tha Komisioni Evropian.
Marrëveshja do t’ua mundësojë shteteve të BE-së që dozat e para sipas kësaj kontrate t’i marrin në çerekun e fundit të vitit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Edhe vetë kompania amerikane e konfirmoi marrëveshjen përmes një deklarate dhe tha se është duke punuar për ta përfunduar procesin e dorëzimit të të dhënave të vaksinës te rregullatori evropian në çerekun e tretë të vitit.