BE-ja bën marrëveshje me Novavax-in amerikan për miliona doza

Prishtinë | 04 Gus 2021 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Evropian ka miratuar një kontratë për furnizim me vaksina me kompaninë amerikane “Novavax”, me të cilën mund të blihen deri 200 milionë doza të vaksinës për Covid-19, njoftuan autoritetet në Bruksel të mërkurën.

Sipas kontratës, shtetet e Bashkimit Evropian do të kenë mundësi që të blejnë deri 100 milionë doza të vaksinës së “Novavax”-it, me mundësi për të blerë edhe 100 milionë doza shtesë deri më 2023, posa vaksina të miratohet nga rregullatori i BE-së, tha Komisioni Evropian.

Marrëveshja do t’ua mundësojë shteteve të BE-së që dozat e para sipas kësaj kontrate t’i marrin në çerekun e fundit të vitit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Edhe vetë kompania amerikane e konfirmoi marrëveshjen përmes një deklarate dhe tha se është duke punuar për ta përfunduar procesin e dorëzimit të të dhënave të vaksinës te rregullatori evropian në çerekun e tretë të vitit.

Të ngjashme