Një javë para se Kosova e Serbia të takohen në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ka thirrur takim mes palëve. Veçse aty nuk shkojnë kryeministrin Hoti e Presidenti serb, Vuciq.
Nën hijen e takimit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ka thirrur një takim mes atyre që quhen ekspertë nga Kosova e Serbia.
Më 27 gusht, BE-ja planifikon t’i vazhdojë negociatat mes Kosovës e Serbisë, derisa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka organizuar një takim në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator.
Zëdhënësja e BE’së për Politikë të Jashtme, Nabila Massrali, i ka thënë Gazetës Express se të premten do të ketë takim në nivel ekspertësh në Bruksel.
“Dialogu, pas rinisjes së tij me nivelin më të lartë në fund të korrikut, do të vazhdojë me serinë e takimeve në nivel eskpertësh. Ne e konfirmojmë se takimi do të mbahet më 27 gusht. Si rregull që e kemi, ne nuk i konentojmë diskutimet që do të vijnë”, ka thënë Massrali.
Në këtë nivel, Kosova përfaqësohet nga Skender Hyseni, të cilin kryeministri Hoti, në pajtim me Presidentin Hashim Thaci, e ka emëruar koordinator për dialogun me Serbinë.
Në nivel ekspertësh, pala serbe përfaqësohet nga Marko Gjuriq, që në Serbi mban postin e shefit të së ashtuquajturës “zyrë për Kosovë”.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë rinisi pas dy vjet ndërprerje në Bruksel, gjatë korrikut të këtij viti. Ky takim u mbajt mes Hotit dhe Vuciqit.
Ndërkaq, Rober O’Brien, këshilltar i Presidentit Trump ka organizuar takimin mes palës kosovare dhe serbe, në Uashington, më 2 shtator, më pas është shtyrë më 4 shtator.
Emisari i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë se në takimet që po ndërmjetëson SHBA’ja flitet për çështje ekonomike, e jo konfliktin politik.