BE-ja e OKB-ja përgëzojnë Qeverinë për promovimin e barazisë dhe fuqizimin e grave

Prishtinë | 13 Qer 2023 | 12:31 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është lansuar projekti “Gender Equality Facility”, që ka për qëllim barazinë gjinore, raporton Ekonomia Online. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Ai para të pranishmëve foli fillimisht  për aplikimin për statusin e vendit kandidatë për në Bashkimin Evropian.

Kurti shtoi se po punohet për një shoqëri gjithëpërfshirëse, e që sipas tij, ky edhe është një hap drejtë anëtarësimit.

Ai ripërsëriti statistikat e punësimit ku tha se për 21 muja janë hapur 37 mijë e 350 vende të reja pune, ku mbi 50% e tyre ishin gra.

“Në fund të viti që e lamë pas, isha në Pragë me përkushtim atje dorëzuan aplikimin për anëtarësimin në BE. Aplikimi në vete-vete është një hap historik, por ka edhe shumë punë. Qeveria jonë po punon për një shoqëri me shumë diversitet dhe gjithëpërfshirje. Një hap drejtë anëtarësimit është edhe ky projekt”.

“Ky projekt i cili ka për qëllim përafrimin e politikave tonë me ato të BE për barazi gjinore. Me këtë partneritet, jam optimist se do të arrihet të potencohet perspektiva gjinore në të gjitha aspektet. Jemi të lumtura që brenda dy viteve të zbatimit kemi arritur 18 nga 34 caqet e programit të Kosovës për barazi gjinore. Gjatë 21 muajve kemi pasur gjithsej 37 mijë e 350 vende pune të reja ku 50.3 për qind janë gra”.

Johannes Stenbaek Madsen, shef i Sektorit të Bashkëpunimit nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se Kosova merr për herë të parë grante nga BE-ja për barazinë gjinore.

Sipas tij, Qeveria ka demonstruara përkushtim për promovimin e barazisë dhe fuqizimin e grave.

“Sot e shënojmë një ditë të rëndësishme mes Kosovës dhe BE-së. Kosova për herët të para merr nga BE grante për barazi gjinore. Gratë do të kenë mundësin që t’i ndaj eksperienca e tyre me gratë e tjera të shteteve të BE. Suksesi i Qeverisë së Kosovës është se kanë demonstruar përkushtimin e tyre për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave. Kosova ka një agjenci të specializuar për barazi dhe ka ligje e strategji”.

Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Arnhild Spence, tha se Kosova ka bërë përparim të theksuar në barazinë gjinore, raporton EO.

“Kjo iniciativë është një shembull i shkëlqyeshëm i partneritetit që na ndihmon që të arrihen qëllimet thelbësore të OKB dhe Qeverisë së Kosovës. Kosova ka bërë përparim të theksuar në barazinë gjinore. Ka marr edhe modelin botëror, ka edhe president që është grua, ka ministre. Pra në Kuvend 35 për qind e deputeteve janë gra”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:

I nderuar zotëri Johannes Stenbaek Madsen, Udhëheqës i Zyrës për Bashkëpunim në Bashkimin Evropian,

E nderuar Koordinatore e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zonja Arnhild Spence,

E nderuara shefe e UN Women, Vlora Nushi,

Të nderuar kryetarë të komunave,

Të nderuar drejtues e përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare,

Të nderuara aktiviste, mbrojtëse të të drejtave të grave,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Në fund të vitit që e lamë pas, më saktësisht në mes të dhjetorit, isha në Pragë me përkushtim të palëkundur të Kosovës në vlerat fondamentale të Bashkimit Evropian. Atje dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian me bindjen e plotë se Kosova e ka vendin në këtë bashkim dhe se aty do të na gjejë e ardhmja.

Aplikimi në vetvete është një hap i madh historik, por hapat drejt anëtarësimit janë të shumtë. Janë puna dhe përkushtimi i përditshëm bazuar në vlerat demokratike evropiane, në të cilat ne besojmë dhe i kultivojmë si: dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. Qeveria jonë po punon për një shoqëri me diversitet, gjithëpërfshirje dhe me mundësi të barabarta për të gjithë. Po punojmë për përafrimin e mëtejmë të kornizës sonë ligjore me atë të Bashkimit Evropian, që të mos kemi asnjë pengesë drejt anëtarësimit, e për më tepër që anëtarësimi të mos na gjejë assesi me pabarazi të theksuara.

Një hap drejt barazisë, është edhe ky projekt që na ka mbledhur sot. Andaj, kam kënaqësinë të ju drejtohem sot në lansimin e Gender Equality Facility, i cili ka për qëllim përafrimin e mëtejmë të politikave tona me direktivat e Bashkimi Evropian për barazi gjinore. 

Me këtë partneritet ndërmjet Bashkimit Evropian, UN Women, Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, jam optimist se do të arrihet të përbrendësohet perspektiva gjinore në të gjitha proceset e planifikimit dhe politikëbërjes që do të adresohen nevojat e grave dhe vajzave me gjithë shumëllojshmërinë e situatave të tyre në shoqëri, që politikat dhe planet të na shpiejnë drejt një shoqërie të barabartë, ku gratë dhe burrat, përfitojnë dhe gjithashtu kontribuojnë në mirëqenie, zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri në vend.

Të gjithë ne besojmë që duhet të gëzojmë të drejtat e barabarta, por ne si Qeveri angazhohemi me punën tonë, që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kemi edhe mundësitë e barabarta. Pra, jo vetëm të drejtat e barabarta por edhe mundësitë e barabarta.

Kornizën ligjore krahas avancimit po e shoqërojmë me politika të duhura publike, rritje të cilësisë së shërbimeve publike, pavarësi ekonomike e financim të qëndrueshëm. Po ndërmarrim hapa konkret për një Kosovë sa më barazimtare mes grave dhe burrave.

Në përgjithësi çdo studim tregon që vajzat janë studente më të mira se djemtë nëpër fakultete të universiteteve tona. Mirëpo më pas, pas përfundimit të studimeve, duke pas parasysh që djemtë po paguhen më lart në vende të ndryshme të punës, ne kemi theksuar rëndësinë e bursave në kuadër të programit STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, në mënyrë që të mos kemi një hendek social në tregun e punës ku vajzat dhe gratë janë studente më të mira, po më pastaj janë djemtë dhe burrat që paguhen më shumë e më mirë. Pra, edukimi është një fushë në të cilën duhet të fuqizojmë gratë ashtu që t’i kenë mundësitë e barabarta po njëkohësisht edhe të mos marrin më pak në fund përkundër përpjekjeve më të mëdha në proces.

Jemi të lumtur gjithashtu që brenda dy viteve të zbatimit, kemi arritur 18 nga 34 caqet e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore. Për planifikim dhe zbatim të rregullt vjetor të buxhetimit gjinor në nivel vendi, kemi miratuar Koncept Dokumentin për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor. Për të zvogëluar pabarazitë dhe hendeqet në zhvillim, nevojitet rritje e përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive të grave dhe vajzave në kontrollin dhe shpërndarjen e burimeve financiare, si dhe të rritjes së qasjes në fonde publike.

Gjatë 21 muajve, prej marsit të vitit 2021 deri në dhjetorin e vitit 2022, kemi pasur gjithsej 37,350 vende pune të reja përfshirë edhe një pjesë të tyre të formalizuara ku 50.3% janë gra. Gjithashtu edhe nga programi “SuperPuna” më shumë se sa gjysma e atyre që kanë përfituar, po ashtu janë gra. Nga 1500 përfitues të programit “Qeveria për familje”, të mos kemi asnjë familje pa dikë të punësuar, 603 janë gra. Janë mbështetur mbi 34,000 gra lehona, gjithsej mbi 351 mijë fëmijë, pra nën moshën 16 vjeçare, me shtesa për fëmijë dhe të gjitha këto i kemi bërë në emër të nënës. Pra mbështetje financiare në emër të nënës, me ç’rast edhe 90 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë.

Tash ne që jemi burra në familje e dimë që paratë është më mirë me i mbajt gruaja, prandaj edhe është treguar shumë e sukesshëm që fuqizimi financiar i gruas të jetë edhe në bizneset e tyre që ne i mbështesim, edhe në punësimin e tyre në tregun e punës, edhe në edukimin e tyre në mënyrë që të mos kenë paga më të ulëta për punën e njëjtë, por edhe fuqizimin të grave në vet familje.

Jashtë orarit të punës dhe jashtë profesionit, jemi në familje edhe aty duhet të forcohen gratë edhe vajzat. Shkollimi dhe punësimi i grave dha vajzave janë matësi i zhvillimit ekonomik e i progresit shoqëror. Për këtë edhe e kemi bërë arsimin publik falas për të studentët në nivelin baçelor dhe master. Qeverisja jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale, për një shoqëri që është e drejtë, e barabartë dhe përparimtare.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Qeveria jonë mbetet e përkushtuar për politikat demokratike dhe sociale, për një shoqëri që është e drejtë, dhe e barabartë pra, me të drejta të barabarta por edhe me mundësi të barabarta.

Andaj, me përgjegjësi institucionale, bashkëpunim me organizatat e partnerët vendor e ndërkombëtarë, me përfshirje e pjesëmarrje të qytetarëve, gra e burra, vajza e djemë, së bashku do të shtyjmë përpara agjendën për barazi gjinore në Republikën e Kosovës.

Ju faleminderit!​

Të ngjashme