BE-ja e pranon për herë të parë: Kishte ide për shkëmbim territoresh

Prishtinë | 23 Nën 2020 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell ka thënë se para disa muajsh ka pasur një propozim për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për mediat serbe “Nezavisne” dhe “Politika.ba”, Borrell tha se shkëmbimi i territoreve nuk është një mundësi aktualisht dhe se Prishtina dhe Beogradi duhet ta gjejnë një zgjidhje. Zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi, Borrell tha se nuk do ta diktojë BE-ja.

“Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një mundësi”, tha Borrell, duke shtuar se ka vende të BE-së që kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve.

Ai tha se pret që administrata e Joe Biden të ketë partneritet të fortë me BE-në në të gjitha çështjet. Arsyeja, siç tha ai, është se BE-ja dhe SHBA-ja nuk garojnë në Ballkan, veçanërisht kur bëhet fjalë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, BE-ja dëshiron të jetë ndërmjetës në këtë dialog dhe tani gjërat po shkojnë mjaft mirë.

“Unë drejtova një nga takimet mbi dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Emocionet janë të forta dhe mendoj se është e kuptueshme, sepse dialogu është kërkues dhe i vështirë, i ngarkuar nga historia”, tha Borrell.

Ai vlerësoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i ndarë dhe ka shumë kufij, shumë vështirësi për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, prandaj tha se duhet të punohet për Shengenin në këtë rajon.

“Kur shikoni një hartë të rajonit tuaj, nëse doni investime serioze dhe keni nevojë për to, vështirë se do t’i merrni kaq të fragmentuara. Ne jemi një treg prej 40 milionë njerëzish. Dhe ju keni gjashtë vende me disa miliona njerëz secili. Dhe ju keni vendosur kufij dhe do të jeni të ndarë. Kështu që do të jetë shumë e vështirë për ju të tërhiqni dikë me kufij dhe sisteme të tilla”, tha Borrell.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme