Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Frederica Mogherini, që të monitorojë zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.
Në një përgjigje për Ekonomia Online, zëdhënësja Maja Kocijançiq ka treguar se Bashkimi Evropian e mirëpret ftesën e presidentit Thaçi dhe se shumë shpejt BE-ja do të vendos për ekipin teknik i cili do të bëjë monitorimin e zgjedhjeve lokale.
“BE-ja e mirëpret këtë ftesë nga Presidenti. BE-ja do të vendosë së shpejti një ekip teknik në Kosovë për të vlerësuar situatën, në mënyrë që të marrë një vendim për vendosjen e mundshme të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së për zgjedhjet e ardhshme komunale”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëse Kocijançiq.
Në Kosovën e pasluftës përveç misionit të OSBE-së të cilët kanë monitoruar procesin e zgjedhjeve nuk ka pasur ndonjë mision tjetër të Bashkimit Evropian që ka monitoruar këtë proces.