Udhëheqësit e Bashkimit Evropian iu vendosën sanksione të reja ekonomike Bjellorusisë dhe kompanisë së saj kombëtare ajrore, pasi një gazetar disident u rrëmbye me përkrahjen e shtetit nga aeroplani me të cilin po udhëtonte.
Në një komunikatë të përbashkët, për të cilën u arrit shpejt pajtueshmëri mes vendeve anëtare të hënën në mbrëmje në Bruksel, udhëheqësit e 27 shteteve të BE-së e dënuan aterrimin e detyrueshëm të fluturimit me numër FR4978 në Minsk dhe bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të blogerit opozitar, Roman Protasevich, dhe të dashurës së tij ruse, Sofia Sapega.
Në orët e vona të së hënës, presidenti amerikan, Joe Biden, e dënoi fuqishëm operacionin për arrestimin e Protasevich-it, duke e quajtur atë fyerje të drejtpërdrejtë ndaj normave ndërkombëtare dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të këtij personi. Ai i mirëpriti sanksionet e BE-së, duke shtuar se ekipi i tij është duke i vlerësuar opsionet e duhura.
Për arrestimin e blogerit reagoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në rrjetet sociale ajo shkroi: “Liderët e Komisionit Evropian vepruan fuqishëm në reagim ndaj veprimeve mizore të regjimit bjellorus. Do ta mbyllim hapësirën tonë ajrore për aeroplanët nga Bjellorusia dhe do t’u bëjmë thirrje kompanive ajrore të BE-së që të mos fluturojnë nëpër territorin e këtij shteti. Sanksione të mëtejme ekonomike do të prezantohen së shpejti.”.