Familjarët e personave të të pagjeturve po kërkojnë për herë të fundit që zbardhja e fatit të personave të pagjeturve të jetë temë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ata po kërkojnë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjeturve, e të zhdukur gjatë luftës, të jetë temë kryesore e dialogut.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini tha për Ekonomia Online se Bashkimi Evropian ia ka borxh Kosovës zbardhjen e fatit të të pagjeturve gjatë luftës së fundit.
Qerkini deklaroi se apeli i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur e i familjarëve ka qenë e kamotshme por që asgjë nuk është ndërmarrë si shkak i mos vullnetit politik në vend.
“Është kërkesë jo e tashme, por e moçme, sepse kemi pasur qysh në fillim kur kanë qenë në Bruksel bisedat të bëhet një lloj bisede teknike, ne iu kemi thënë të bisedojnë për fatin e personave të pagjetur”.
“Një plage e pashërueshme një numër shumë i madh nuk ka rahati. Nuk mundesh me rehatua popullin kur ai/ajo lyp djalin ose çiken apo motrën e vëllai. Atëherë qysh në atë kohë kur kanë filluar bisedat e para është thënë se do të bëjnë e nuk është bërë”.
“Nga Edita Tahiri e kemi marrë përgjigjen për shkak se ka punë më të mëdha e do të jetë si pikë e tretë, e as këtë nuk e kanë bërë. Kanë ndryshuar shumë gjërat”.
“Apeli jonë e i familjarëve është për të marrë pjesë në dialog dhe të bëhet bisedë numër një zbardhja e fatit të pagjeturve”, ka thënë Qerkini.
Qerkini ka shprehur bindjen se autoritetet e Serbisë e dinë saktë vendndodhjen e personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës.
Siç tha ai, Kosova ka dëshmi të thukta se ku gjenden personat e zhdukur gjatë luftës, andaj th ai se është koha e fundit që familjarët të dinë fatin e personave të tyre të dashur.
“Kanë dhënë dokumentacione më kode e numra dhe skica ku gjenden njerëzit e pse të mos bëhet. Kërkesa jonë është me argumente të thuktë. Tash janë deklaratat më të fundit, sikur fryma e fundit e njeriut që mendon për fëmijën e vet”.
“Brukseli na ka borxh neve megjithëse e kanë anashkaluar, të merret një vendime të zbardhet fati i atyre i të cilët ende na thërrasin ejani merrna”, shtoi ai.