Kabineti qeveritar është njoftuar për kthimin e 110 kosovarëve nga zonat e konfliktit në Siri, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se kthimi i tyre nga Siria është bërë në mbështetje të ShBA-së dhe se procesi ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme ligjore.
“Institucionet e Kosovës që kanë qenë të përfshira kanë kryer punë të shkëlqyer i falënderoj të gjithë, po ashtu edhe ShBA-ja për kontributin e tyre në këtë proces”, tha ai.
“Procesi i kthimit është bërë me mbështetje të ShBA-së dhe i vendimmarrjes ka qenë veprim ligjor kushtetues dhe ka kaluar nëpër procedurat e parapara për situata të tilla”.
“Kërkoj nga gjitha organizatat e përfshira me krye me seriozitet e kujdes ndaj të kthyerve. Numri i kosovarëve të mbetur nuk është shumë dhe për rezultatet tjera do të jemi të njoftuar me kohë”.
Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, tha se BE ka kërkuar që të marrë më shumë informacione për këtë aksion.
Prandaj ai ka garantuar se bashkë me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj do të bëjnë një gjë të tillë.
“Kemi interes nga BE-ja me u informu më saktë për ketë angazhim dhe bashkë me zv.kryeministrit Hoxhaj do t’i njoftojmë nëpërmes një letre për angazhimin tonë kundër terrorizmit”.
“Jemi të përkushtuar që emrin e republikës tonë ta largojmë nga zonat e luftës e organizata terroriste dhe të mos kemi qytetar të jenë viktima apo të jenë pjesë e ndonjë sulmi terrorist”, tha Tahiri.
Nga Siria u kthyen katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë.
Katër luftëtarët janë arrestuar në momentin e mbërritjes në Kosovë. Ndaj tyre tashmë është caktuar masa e paraburgimit.
Më shumë se 300 qytetarë të Kosovës, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.
Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.
Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja mund të dënohet deri në 15 vjet burgim.