Ekipi Menaxhues për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duhet të jetë në funksion deri në momentin kur të miratohet statuti i këtij mekanizmi, ka thënë të mërkurën, Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.
Kështu tha ai në një prononcim për platformën “Kallxo”, pasi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, liroi nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit.
“Sa i përket vendimit të raportuar të Kosovës për shpërbërjen e ekipit menaxhues, marrëveshjet e dialogut thonë qartë se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit/Bashkësisë për Komunat me shumicë serbe”, tha ai.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijela Vujiçiç, Jelena Bolloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç, sipas Stanos,
“shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut”.
“Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi Stano.